Aktivisti Ilir Xhemalaj tha se protesta qytetare para Kryeministrisë dhe Parlamentit ka hyrë tashmë në fazën e mosbindjes civile.
I ftuar në nje studio televizive, aktivisti i cili u shfaq me vezë në studio, tha se mosbindja civile do përshkallëzohet deri në realizimin e qëllimeve.
Masat e marra sot nga Policia e Shtetit, Xhemalaj i konsideroi si një “shtetrrethim”, sikur vendi të ishte duke u sulmuar nga Serbia.
“Atje kishin ardhur 1600 policë, të armatosur, për të sekuestruar këto vezë! Sot ka qenë një shtetrrethim, sikur po vinte dhe po i sulmonte serbi, jo sikur ishin shqiptarë ata në shesh që kërkonin ndryshimin e sistemit. Ne do jemi në Parlament derisa qeveria Rama të japë dorëheqjen dhe derisa Berisha të largohet nga PD.
Kërkojmë dorëheqjen e të dyve, ndryshimin e sistemit. Ne nuk largohemi, kjo protestë arriti 100 ditëshin. Sot kemi kaluar te mosbindja civile. Më 31 gusht kam shpallur mosbindjen civile dhe në datën 1 e filluam.
Do vazhdojmë përshkallëzimin e mosbindjes civile deri në realizimin e qëllimeve tona. Kjo është e panegociueshme”, tha Xhemalaj.







