Stresi ka surprizuar ndjekësit me një vendim të ri për karrierën e tij. Pas publikimit të disa këngëve që prej kohësh kishin mbetur të bllokuara në YouTube, reperi do të tërhiqet përkohësisht nga muzika për t’iu përkushtuar projekteve të tjera profesionale.
Lajmin e bëri të ditur vetë përmes një mesazhi në Instagram, ku fillimisht njoftoi se disa prej projekteve të tij do të rikthehen më në fund te publiku.
“Sonte në 19:00 dalin disa këngë të miat që kanë qëndruar të bllokuara për arsye teknike dhe procedurash kontraktuale me YouTube. Më në fund janë aty ku duhet të jenë, te ju”, shkroi Stresi.
Por bashkë me lajmin për këngët erdhi edhe njoftimi i papritur për një shkëputje të përkohshme. Reperi nuk ka zbuluar ende se cilat janë projektet e reja ku do të përqendrohet gjatë kësaj periudhe, por e bëri të qartë se vendimi nuk nënkupton largimin përfundimtar nga muzika.
Në mesazhin e tij, Stresi u kthye edhe pas në kohë, duke reflektuar mbi vitet e karrierës dhe uljet e ngritjet që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”, u shpreh ai.
Artisti falënderoi jo vetëm fansat dhe njerëzit që e kanë mbështetur ndër vite, por edhe kolegët dhe kritikët, duke i konsideruar të gjithë pjesë të historisë së tij në muzikë. Megjithatë, për ata që e interpretuan mesazhin si një tërheqje nga skena, Stresi kishte një sqarim të fundit.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt.”
Pas një karriere të gjatë të shoqëruar me muzikë, polemika, rikthime dhe kapituj të ndryshëm personalë e profesionalë, Stresi zgjedh kështu të ndalojë për pak. Se çfarë po ndërton larg muzikës dhe kur do të rikthehet në skenë, mbetet ende për t’u zbuluar.







