Mjeku Ermal Pashaj ka komentuar zhvillimet rreth protestave dhe ka bërë thirrje për një angazhim sa më të gjerë qytetar. Ai tha se në protestë duhet të marrin pjesë edhe socialistët që janë të pakënaqur me mënyrën e qeverisjes, si dhe intelektualët dhe pjesëtarët e diasporës.
Pashaj tha për News24 se protestat nuk duhet të shihen si një përplasje mes kampeve politike, por si një lëvizje më e gjerë qytetare.
Sipas tij, protesta përfaqëson një prej formave më të rëndësishme të opozitarizmit real në vend dhe nuk duhet të shihet si një përplasje me Partinë Socialiste, por si një reagim ndaj asaj që ai e cilëson si autokraci.
“Nga dita e parë deri më sot mendoj që idetë e mia i kam shprehur dhe do t’i pres. Personalisht unë e kam dhënë kontributin tim, ashtu si mirëpres diasporën, mirëpres cilindo qytetar, aq më tepër intelektual që kanë një bagazh për të artikuluar, për të shkruar. Ajo do jetë zgjidhja. Duhet të kemi parasysh një gjë, protesta është një pol shumë i fuqishëm real i opozitarizmit në Shqipëri. Bashkërendimi i të gjitha poleve opozitare, ashtu kundër edhe të qejfmbeturve brenda PS, ne nuk e kemi këtë luftë me PS, ne e kemi me autokracinë. Pra, janë të mirëpritur që të shprehen dhe të dalin dhe ta përkrahin, ashtu siç e përkrahën, mos kujtoni se nuk ka pasur elementë të PS në ditët e para”, tha Pashaj.