Ballina Bota Po mbulonin ngjarjen e vullkanit në Indonezi, zhduken 5 gazetarë

Po mbulonin ngjarjen e vullkanit në Indonezi, zhduken 5 gazetarë

36
0

Autoritetet indoneziane kanë humbur kontaktin me një varkë që transportonte tetë persona, përfshirë pesë gazetarë që po mbulonin shpërthimin e vullkanit Anak Krakatau.

Anija u nis të hënën pasdite nga një port në provincën Banten, rreth 120 kilometra në perëndim të Xhakartës, njoftoi agjencia e kërkim-shpëtimit.

Mes pasagjerëve ishin pesë gazetarë indonezianë nga media lokale dhe ndërkombëtare. Gazetarët kishin udhëtuar për të fotografuar dhe filmuar shpërthimet e vullkanit.

Një nga gazetarët kontaktoi për herë të fundit një koleg rreth orës 15:00 sipas kohës lokale të hënën. Që prej asaj kohe nuk ka pasur më asnjë komunikim me të.

“Deri më tani ata nuk janë kthyer dhe pronari i varkës nuk ka asnjë informacion nga ekuipazhi”, tha agjencia, e cila mobilizoi ekipet e shpëtimit, oficerët e policisë dhe avionët për gjetjen e personave të zhdukur.

Përveç gazetarëve, në bordin e anijes ndodheshin edhe dy anëtarë të ekuipazhit dhe një guidë turistike.

Kreu i shërbimit lokal të shpëtimit, Al Amrad, i tha Kompas TV se kërkimet janë pezulluar për sot dhe do të rifillojnë të mërkurën në mëngjes.

Agjencia e lajmeve Antara konfirmoi se fotoreporteri Muhammad Baghus Khoirounas ishte në bordin e varkës. Sipas agjencisë, policia tha se kërkimi është i vështirë për shkak të valëve të larta dhe dukshmërisë së kufizuar në zonë.

Shpërthimet vullkanike i detyruan autoritetet lokale të pezullojnë operacionet në disa aeroporte indoneziane për dy ditë. Fluturimet rifilluan sot në aeroportin ndërkombëtar të Xhakartës.