Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas publikimit të dosjes së SPAK-ut, për vilën e dytë që iu sekuestrua ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një video në rrjetet sociale, Shehaj përmend detajet e dosjes që tregojnë se vila e Ballukut është e ndërtuar me një stil luksoz, me pishina që shohin direkt në det, me vaska hiromasazhi si në hotelet më të mira të Santorinit, apo dhe ambiente të jashtme të veshura me dru natyral, që të bëjnë të ndihesh si në jaht.
Sipas Shehajt, këto detaje janë zbuluar nga hetuesit nga komunikimet e Belinda Ballukut dhe arkitektit të saj.
“Ajo që është më e rëndësishme është që sipas SPAK-ut ajo nuk është ndërtuar dhe nuk është mobiluar me paratë e Belinda Ballukut por me paratë e përfituesve të tenderave të Belinda Ballukut.
Me pak fjalë, me paratë e qytetarëve shqiptarë. Para që duhet të shkonin në shëndetësi, në arsim, kanë shkuar për të ndërtuar “infinity pool”, për ta bërë Belindën të ndihet e llastuar si në hotel”, shprehet Shehaj.
Kreu i Mundësia thekson se personat me pushtet që janë në qeveri janë pasuruar duke abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Kjo nuk na çudit në fakt sepse ne e dimë shumë mirë që këta kanë të gjithë vila, që këta janë bërë milionerë duke vjedhur popullin më të varfër në Europë”, shprehet Shehaj duke nënvizuar se ajo që ka ndryshuar tashmë, është se në Shqipëri nuk ka më të paprekshëm. Të gjithëve po iu vjen fundi, po dalin përpara drejtësisë”, thotë Shehaj.
Sipas Shehajt, “tani radhën e ka Edi Rama”.
Kreu i Mundësia nënvizon se SPAK tani duhet të shkojë drejt hetimit të pasurisë së kryeministrit Edi Rama.
“Tani është radha e vilave dhe pasurisë së Edi Ramës”.
SPAK e ka akuzuar Belinda Ballukun për abuzim me tenderat, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.







