Emily Blunt dukej mahnitëse me një fustan elegant pa rripa, në ngjyrë të zezë dhe të artë, në Gala-n e Institutit Amerikan për Belbëzimin (AIS), e mbajtur të mërkurën në Nju Jork.
Aktorja 43-vjeçare është prej vitesh mbështetëse e kësaj gala-je vjetore, pasi ka rrëfyer publikisht përvojën e saj me belbëzimin që nga fëmijëria.
Emily ka pranuar më parë me krenari se vështirësia në të folur ishte një faktor që “e formësoi” atë dhe, në fund, e çoi drejt një karriere në aktrim, shkruan Daily Mail.
Ylli i filmit “The Devil Wears Prada” u shfaq me shumë elegancë në ceremoninë e mbajtur për 20-vjetorin e AIS, në ambientet e “Rainbow Room”.
AIS është një organizatë jofitimprurëse që ofron terapi të specializuar dhe të përballueshme të të folurit, si dhe mbështetje për fëmijët dhe të rriturit që vuajnë nga belbëzimi.
Emily kishte rrëfyer më herët se të jetuarit me belbëzimin i jepte ndjesinë sikur brenda saj të jetonte një “impostor”, pra një prani e huaj që e bënte të ndihej e pasigurt dhe në siklet.







