Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ka vendosur në fokus të qeverisë mbështetjen për qytetarët përballë rritjes së kostove të energjisë dhe karburanteve. Gjatë takimit me Presidentin e Republikës, Mitsotakis paralajmëroi se një dimër i vështirë e pret Greqinë, në një periudhë me tensione të larta gjeopolitike dhe presione mbi tregjet e energjisë.
Nafta e ngrohjes, veçanërisht për familjet në Greqinë e Veriut, është një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Mitsotakis njoftoi një ndërhyrje të dyfishtë, me subvencion në pompë dhe rritje horizontale të ndihmës për ngrohjen, ndërsa tha se do të vijojë edhe mbështetja për naftën.
Por angazhimi i kryeministrit grek nuk ndalet vetëm në masat e brendshme. Mitsotakis tha se do ta ngrejë urgjentisht në nivel evropian çështjen e Taksës Speciale të Konsumit për karburantet, duke kërkuar një zgjidhje të përbashkët për lehtësimin e kostos së karburanteve.
Sipas tij, një ulje e përkohshme e barrës fiskale mund të arrihet përmes një përjashtimi evropian nga taksimi i lëndëve djegëse fosile. “Evropa duhet të qëndrojë pranë qytetarëve të saj”, theksoi Mitsotakis. Kryeministri grek deklaroi gjithashtu se ekonomia e vendit mbetet e mbrojtur nga presionet e tregjeve, duke veçuar disiplinën fiskale, rritjen ekonomike dhe uljen e borxhit publik si faktorë që i japin qeverisë hapësirë për të mbështetur qytetarët gjatë muajve të vështirë që priten.







