Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një 15-vjeçari me origjinë shqiptare në Itali. Manuel Korreshi, i cili jetonte në Castegnero Nanto, u përplas nga një automjet teksa po kthehej në shtëpi me biçikletë përgjatë rrugës provinciale 247 në Riviera Berica, pranë Ponte di Barbarano.
Ngjarja ndodhi pak minuta pas orës 01:00 të mëngjesit, kur i riu, i cili po kthehej nga i ati te e ëma, u godit nga një makinë që udhëtonte në të njëjtin drejtim. Nga forca e përplasjes, 15-vjeçari u hodh në asfalt dhe përfundoi në kanalin anësor të rrugës. Shoferi i automjetit ndaloi menjëherë dhe njoftoi shërbimin e urgjencës 118, ndërsa u shpreh para hetuesve se nuk e kishte parë biçikletën për shkak të errësirës së madhe në atë segment rrugor.
Ekipi mjekësor i Suem e stabilizoi dhe e intuboi të riun në vendngjarje, duke e transportuar me urgjencë drejt spitalit “San Bortolo” në Vicenza. Pavarësisht përpjekjeve të gjata të mjekëve në njësinë e kujdesit intensiv pediatrik, 15-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak para orës 20:00.
Manueli ndiqte studimet në Institutin “Lampertico” në Vicenza dhe ishte një futbollist i talentuar që luante për ekipin e të rinjve të AC Este. Humbja e tij tragjike ka prekur thellësisht familjen, shokët e shkollës dhe komunitetin lokal. Kryetarja e bashkisë Castegnero Nanto, Manuela Vecchiatti, i shprehu ngushëllimet familjes për këtë ngjarje që ka pikëlluar të gjithë zonën, ndërsa miqtë e tij e kujtuan me mesazhin prekës: “Fluturo lart, sulmues”.
Karabinierët e Vicenzës po vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për të sqaruar rrethanat e plotë të aksidentit, përfshirë verifikimin nëse biçikleta kishte drita të ndezura, si dhe procedurat për sekuestrimin e mjeteve dhe hapjen e një hetimi për vrasje me automjet.







