Nga data 5 tetor 2026 në Durrës nis zbatimi i sistemit të parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet publike duke rënduar xhepat e qytetarëve.
Rrugët me pagesë ndahen në dy zona.
Në Zonën A, tarifa është 100 lekë në orë, ndërsa në Zonën B, tarifa është 40 lekë në orë.
Qytetarët duhet të kontrollojnë zonën dhe tarifën përkatëse nëpërmjet sinjalistikës së vendosur në terren, informon sot bashkia.
Gjatë periudhës nga 1 tetori deri më 31 maj, parkimi me pagesë në rrugë zbatohet vetëm nga e hëna deri të premten, në orarin 08:00–16:00. Pas orës 16:00, të gjitha rrugët janë pa pagesë. Kjo do të thotë se qytetarët që përfundojnë punën dhe rikthehen në banesat e tyre pas këtij orari mund të parkojnë pa paguar. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, parkimi në rrugë është pa pagesë të shtunën dhe të dielën.
Gjatë sezonit veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, orari i parkimit me pagesë është 08:00–20:00, nga e hëna deri të dielën.
Sistemi përfshin gjithashtu sheshet publike “Jorgji Ziu”, “Vollga” dhe parkimin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Në këto sheshe aplikohet tarifim sipas kohëzgjatjes së qëndrimit, nga 100 lekë për qëndrimin deri në dy orë, deri në 500 lekë për qëndrimin nga 12 deri në 24 orë. Pagesa kryhet vetëm me kartë bankare nëpërmjet pajisjes POS.
Banorët që jetojnë në rrugët me pagesë mund të aplikojnë për abonim vjetor me tarifë 10,000 lekë, për një automjet për familje.
Rezidentët mund të pajisen gjithashtu me vërtetim pa pagesë për parkimin në hapësirat publike të miratuara midis pallateve ku banojnë. Vërtetimi ose abonimi duhet të vendoset në një vend të dukshëm në xhamin e automjetit.
Aplikimi kryhet pranë Njësisë Administrative ku qytetari ka vendbanimin. Njësia Administrative verifikon adresën dhe përputhjen e saj me rrugën me pagesë ose hapësirën publike të miratuar.
Për të aplikuar, qytetari duhet të paraqesë:
– dokumentin e identifikimit;
– dokumentin e pronësisë së automjetit;
– certifikatën e pronësisë së banesës, kontratën e qirasë ose një dokument tjetër që vërteton pronësinë apo përdorimin e banesës;
– vërtetimin e banimit të lëshuar nga Njësia Administrative përkatëse.
Pas verifikimit dhe miratimit të dokumentacionit, lëshohet abonimi vjetor ose vërtetimi i rezidentit, sipas rastit, brenda një afati prej pesë ditësh.
Për sa u përket hapësirave publike midis pallateve, bashkia njoftoi se zbatimi i sistemit të parkimit për rezidentët do të fillojë vetëm pas vendosjes së sinjalistikës përkatëse treguese në secilën hapësirë të miratuar. Deri në përfundimin e sinjalizimit, qytetarët duhet të orientohen sipas gjendjes dhe sinjalistikës ekzistuese në terren.
Do shtohen parkimet
Paralelisht me administrimin e vendeve ekzistuese, Bashkia Durrës informon se po punon për shtimin e kapaciteteve të parkimit në këto zona. Në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, është realizuar parkimi pranë Portit të Durrësit. Gjithashtu, Bashkia ka lidhur marrëveshjen për hartimin e projektit të zbatimit të një parkimi nëntokësor në sheshin e Mauzoleumit të Dëshmorëve.
Për vitin e ardhshëm po shqyrtohet edhe mundësia e zgjerimit të sheshit të parkimit pranë shëtitores “Taulantia”.







