Një operacion i Policisë Kufitare në Sarandë ka çuar në arrestimin e dy personave, të dyshuar se po ndihmonin kundrejt pagesës 6 emigrantë nga Pakistani, Bangladeshi dhe India për të kaluar ilegalisht kufirin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Dy të arrestuarit u kapën në flagrancë në afërsi të kufirit me Greqinë, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy automjetet me të cilat do të transportoheshin emigrantët.
Njoftimi i Policisë:
“DVKM Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Kufijtë”, goditet një rast i tentativës për të ndihmuar emigrantë nga Vendet e Treta, për të kaluar ilegalisht kufirin.
Arrestohen 2 shtetas që u kapën në afërsi të kufirit me Greqinë dhe tentuan të transportonin me 2 automjete, kundrejt pagesës, 6 emigrantë që synonin të kalonin në vendet e BE-së.
Procedohen penalisht 6 emigrantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë.
Sekuestrohen 2 automjetet më të cilat do të transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Kufijtë”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, banues në Tiranë.
Këta 2 shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare, në vendin e quajtur “Pagane”, afër vijës kufitare me shtetin grek, me 2 automjete me të cilat do të transportonin kundrejt pagesës, 6 shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht kufirin, për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht 6 emigantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin kaluar ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan policia.







