Prokurori i Përgjithshëm hungarez ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Peter Magyar lidhur me një ngjarje të vitit 2024 ku dyshohet se ai ia rrëmbeu telefonin celular një burri që po e filmonte në një klub nate dhe e hodhi në Danub.
Në të njëjtën kohë, po kërkohet heqja e imunitetit për një rast tjetër, të dy ish-ministrave të qeverisë së ish-kryeministrit Viktor Orban, në rastin e parë që janë njoftuar ndjekje penale kundër ish-anëtarëve të qeverive të Orban.
Magyar, i cili akuzohet për vjedhje në këtë rast, fitoi zgjedhjet parlamentare të prillit, duke i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Orbanit në vend, dhe e ka përshkruar këtë hetim kundër tij si “të turpshëm”.
Në një video të postuar në Facebook, Magyar tha se dëshiron që parlamenti t’i heqë imunitetin dhe akuzoi prokurorët se po përpiqen të shkaktojnë konfuzion duke “ngatërruar” rastine tij me atë të dy ish-ministrave të Orbanit.
Vitin e kaluar, kur ai ishte ende eurodeputet, Parlamenti Evropian refuzoi t’i hiqte imunitetin.
Hetimi kundër deputetit të partisë Fidesz të Orbanit dhe ish-ministrit të Kulturës dhe Inovacionit, Balazs Hanko, ka të bëjë me keqpërdorimin e dyshuar të fondeve publike në vlerë prej 47 milionë eurosh të përdorura në fushatën zgjedhore të vitit 2026. Në korrik, prokurorët sekuestruan kompjuterët e partisë.
I dyshuari i dytë, Miklos Sestak, një deputet nga partia KDNP dhe ish-Ministër i Zhvillimit Kombëtar, dyshohet se është korruptuar me miliona euro për të blerë autobusë të përdorur me çmime të larta midis viteve 2014-2018.







