Ballina Opinion Shteti shqiptar në agoni, Vlora Hyseni ja bëri fora!

Shteti shqiptar në agoni, Vlora Hyseni ja bëri fora!

40
0

Nga Rigels Seliman

Kur mora vesh se Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar masa sigurie ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, për një çast më erdhën në mendje ato vargje të pavdekshme: “Vlora, Vlora, rroki armët, bëja fora!”.

Janë vargje që nuk kanë lindur nga zyrat e pushtetit, as nga korridoret e politikës dhe as nga pazaret e ditës. Ato lindën në një kohë kur Shqipëria duhej të mbronte tokën, dinjitetin dhe sovranitetin e saj. “Vlora-Vlora”, kënga e lidhur me Luftën e Vlorës të vitit 1920, u bë një kushtrim patriotik; tekstin e shkroi i madhi Ali Asllani dhe muzikën e kompozoi Thoma Nasi. Por sot, më shumë se një shekull më pas, i njëjti emër “Vlora” shfaqet në një kontekst që të bën të ndalosh dhe të pyesësh: çfarë po ndodh me shtetin shqiptar?

Sepse këtë herë nuk kemi një Vlora që thërret shqiptarët të marrin armët për të mbrojtur vendin. Kemi Vlora Hysenin, drejtuese të institucionit që duhet të mbrojë interesat dhe sigurinë e Republikës, e cila tashmë është përballë drejtësisë nën dyshime që lidhen pikërisht me atë që një shërbim inteligjence duhet ta ruajë me çdo kusht: informacionin e klasifikuar dhe interesin e shtetit.

SPAK e akuzon zonjën Vlora Hyseni për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Këto janë akuza dhe masa procedurale, jo një vendim përfundimtar fajësie, ndaj edhe prezumimi i pafajësisë duhet të mbetet i pacenueshëm.

Mirëpo pikërisht këtu nis alarmi i vërtetë. Nëse një institucion i inteligjencës nuk është më në gjendje të garantojë se informacioni i klasifikuar që kalon në duart e tij mbetet i mbrojtur, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje individuale. Kemi të bëjmë me një pyetje për vetë sigurinë e shtetit. Dhe pyetja bëhet edhe më e rëndë kur në të njëjtën dosje shfaqen hetime ndaj personave të tjerë të lidhur me strukturat shtetërore, sikundër është “famozi” Ergys Agasi.

Sepse një shërbim sekret nuk është një ministri e zakonshme. Nuk është një zyrë ku dosjet mund të harrohen mbi tavolinë. Nuk është një institucion ku informacioni mund të qarkullojë sipas miqësive, kontakteve apo interesave të momentit. Aty ruhet ajo që shteti nuk mund t’ia tregojë askujt. Dhe nëse hetimi i SPAK-ut vërteton akuzat, atëherë pyetja nuk do të jetë më vetëm: “Çfarë bëri Vlora Hyseni?”.

Pyetja do të jetë shumë më e madhe: Kush kishte aksesin? Kush i dinte informacionet? Kush përfitoi prej tyre? Ku përfunduan? Për kë u përdorën? Dhe, mbi të gjitha, sa thellë ka depërtuar kjo histori në strukturat e shtetit? Kjo është arsyeja pse rasti Hyseni nuk mund të trajtohet si një kronikë e zakonshme arresti. Sepse kur preket maja e një institucioni të inteligjencës, preket edhe besimi te vetë institucioni. Dhe kur në një vend anëtar të NATO-s ngrihen dyshime për nxjerrje të të dhënave sekrete, shqetësimi nuk është vetëm shqiptar. Ai lidhet natyrshëm edhe me mënyrën se si mbrohen informacionet, bashkëpunimi dhe besimi ndërinstitucional. Prandaj sot vargjet “Vlora-Vlora, bëja fora!” tingëllojnë pothuajse si një ironi e hidhur e historisë. Atëherë thirrja ishte për të mbrojtur Shqipërinë nga një kërcënim që vinte nga jashtë.

Sot pyetja është nëse shteti shqiptar duhet të shqetësohet për dobësitë që mund të shfaqen brenda vetë strukturave të tij të sigurisë. Njëqind e gjashtë vjet më parë shqiptarët rrokën armët për të mbrojtur Vlorën. Sot shteti duhet të rrokë diçka tjetër: përgjegjësinë, transparencën institucionale dhe të vërtetën. Sepse nëse akuzat e SPAK-ut provohen në gjykatë, atëherë nuk kemi thjesht një zyrtare nën masë sigurie. Kemi një histori që do të kërkojë përgjigje shumë më të mëdha se emri i një personi. Dhe nëse akuzat nuk provohen, atëherë drejtësia duhet ta thotë po aq qartë këtë të vërtetë.

Në të dyja rastet, shteti shqiptar ka një detyrim: të mos lejojë që sekretet e Republikës të kthehen në monedhë pazari, në armë politike apo në kapital të botës kriminale. Sepse Shqipëria nuk mund të jetë një shtet ku dyert e institucioneve mbyllen, por sekretet dalin jashtë. Dhe këtu qëndron alarmi i vërtetë: Një shtet mund të përballojë një skandal. Mund të përballojë edhe një zyrtar të hetuar.

Por një shtet nuk mund të përballojë lehtë humbjen e besimit se sekretet e tij janë vërtet sekrete. “Vlora-Vlora, bëja fora!”. Sot nuk është koha për të rrokur armët. Është koha për të rrokur përgjegjësinë.