Nicolas Cage shfaqet krejtësisht i transformuar në rolin e legjendës së NFL-së, John Madden, në filmin e ri “Madden”.
Prime Video ka publikuar trailerin e ri të filmit, ku krahas Cage në rolin protagonist shfaqet edhe Christian Bale, i cili interpreton ish-pronarin e Oakland Raiders, Al Davis.
Filmi rrëfen jetën dhe karrierën e John Madden, ish-trajnerit të njohur të Raiders, i cili më vonë u bë një nga komentatorët më të dashur të futbollit amerikan dhe pati një rol të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së videolojërave sportive.
Madden u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2021, në moshën 85-vjeçare.
Edhe Christian Bale është transformuar në mënyrë të dukshme për rolin e Al Davis, i cili ndërroi jetë në vitin 2011. Dy figurat patën një marrëdhënie të ngushtë profesionale dhe personale gjatë periudhës kur Madden drejtonte Raiders.
Në film marrin pjesë gjithashtu Kathryn Hahn, Sienna Miller, John Mulaney dhe Shane Gillis.
“Madden” ndjek rrugëtimin e John Madden dhe marrëdhënien e tij me Al Davis, nga bashkëpunimi te Raiders, që kulmoi me fitimin e Super Bowl-it, deri te shndërrimi i Madden në një nga zërat më të njohur të futbollit amerikan dhe krijuesin e videolojës së famshme “Madden NFL”.
Regjisori dhe skenaristi i filmit është David O. Russell, i njohur për filmat “The Fighter”, “American Hustle” dhe “Silver Linings Playbook”. “Madden” shënon filmin e tij të parë pas “Amsterdam”, të vitit 2022.
Filmi do të shfaqet në kinema të përzgjedhura më 11 nëntor, ndërsa nga 18 nëntori do të jetë i disponueshëm globalisht në Prime Video.







