Shefat e drejtorive në Shërbimin Informativ të Shtetit, me porosi të drejtueses Vlora Hyseni dhe për t’i ardhur në ndihmë Ergys Agasit, raportohet se kanë kopjuar targat e SPAK dhe i kanë vendosur ato mbi një makinë “Skoda” duke imituar mjetin e prokurorit.
Prokuroria e Posaçme dyshon se këto veprime janë ndërmarrë nga shefi i Operacionales në SHISH, Jurgen Kole dhe Elvis Lila, i cili menjëherë pas shkarkimit të Vlora Hysenit, u komandua drejtues.
Gazetari Arsen Rusta shkruan se këta vartës kanë zbatuar porositë e ish-drejtueses dhe kanë kopjuar targat e makinës së Prokurorisë së Posaçme dhe i kanë vendosur mbi një makinë identike si ajo e prokurorit që e përdorte.
Mjeti i dublikuar më pas është vënë në dispozicion të Egrys Agasit dhe biznesmeni kontravers lëvizte i pa shqetësuar në Durrës dhe qytete të tjera, sepse Policia dhe shërbimet e tjera mendonin se në të po udhëtonte prokurori i SPAK.
Në të vërtetë, makina e vërtetë ndodhej e parkuar në ambientet e SPAK sepse prokurori ishte në zyrën e tij, në krye të detyrës. Ndërkohë, sinjale vinin se mjeti i dublikuar, lëvizte në Durrës dhe kryente dhe shkelje rrugore.
Sipas denoncimit të gazetarit Arsen Rusta, i cili ka parë dosjen, Ergys Agasi e kishte pajisur mjetin me fenelina dhe ajo përngjante identikisht me makinën e prokurorit të SPAK.
Duke shfrytëzuar targën e kopjuar dhe mjetin identik, si dhe pajisjet sinjalizuese e fenelinat, biznesmeni i kërkuar lëvizte në shkelje të sinjalistikës, ndërsa autoritetet e lejonin duke menduar se prokurori i SPAK ishte në drejtimin e ndonjë operacioni sekret dhe mjeti nuk mund të ndalohej për verifikim.







