Parlamenti i Hungarisë ka votuar heqjen e imunitetit për kryeministrin Péter Magyar dhe dy ish-ministra të qeverive të Viktor Orbánit, duke i hapur rrugë nisjes së hetimeve penale ndaj tyre.
Vendimi prek kryeministrin Magyar, ish-ministrin e Kulturës Balázs Hankó dhe ish-ministrin e Zhvillimit Miklós Seszták. Për dy ish-ministrat bëhet fjalë për hetime që lidhen me dyshime korrupsioni, ndërsa Magyar përballet me një çështje të veçantë për dyshime vjedhjeje.
Kjo është hera e parë që hetimet për korrupsion prekin figura të larta qeveritare të lidhura me periudhën 16-vjeçare të sundimit të Viktor Orbánit.
Seanca parlamentare u mbajt pas kërkesës së prokurorëve për heqjen e imunitetit të tre politikanëve. Votimi kaloi me shumicë dërrmuese, ndërsa partia Fidesz e Orbánit dhe aleatja e saj KDNP bojkotuan punimet.
Në rastin e kryeministrit Magyar, prokurorët pretendojnë se ai i ka marrë me forcë telefonin një burri që po e filmonte në një klub nate në vitin 2024 dhe më pas e ka hedhur në lumin Danub.
Magyar e ka cilësuar çështjen si “farsë” dhe ka akuzuar prokurorët se po përpiqen ta lidhin emrin e tij me hetimet ndaj ish-ministrave, si pjesë e një përpjekjeje për ta dëmtuar politikisht. Sipas tij, tentativa për shkatërrimin e figurës së tij publike ka dështuar disa herë.
Heqja e imunitetit nuk nënkupton fajësi, por u jep prokurorëve mundësinë të vijojnë hetimet pa pengesën e mbrojtjes parlamentare.







