Ballina Rajoni Maqedoni e Veriut/ Shkatërrohet grupi i lidhur me ISIS-in, arrestohen 5 persona...

Maqedoni e Veriut/ Shkatërrohet grupi i lidhur me ISIS-in, arrestohen 5 persona në Shkup, sekuestrohen municione dhe pistoleta

21
0

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut thanë të martën se e kanë shkatërruar në Shkup një grup të organizuar të lidhur me ideologjinë e organizatës terroriste Shteti Islamik (IS).

Në një operacion i bashkërenduar më 28 shtator në 12 lokacione në Shkup çoi në arrestimin e pesë të dyshuarve dhe në ngritjen e kallëzimeve penale ndaj tre personave, përfshirë ndaj një 34-vjeçari të dyshuar për terrorizëm, thanë autoritetet.

Policia sekuestroi pushkë automatike, një pushkë snajper, pistoleta, municion, pajisje radiokomunikimi, pajisje taktike, një flamur të IS-it, pajisje elektronike dhe një sasi të konsiderueshme parash gjatë operacionit, i tha Radios Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Policia pretendon se i dyshuari kryesor, me inicialet K.I., 34 vjeç, kishte vepruar në një degë të një organizate të mbështetur në ideologjinë e ISIS-it që nga viti 2023.

Ai dyshohet se indoktrinonte të rinj, përhapte propagandë ekstremiste dhe siguronte armë zjarri. Ndaj tij është ngritur kallëzim penal nën dyshimin për terrorizëm dhe tregti të paligjshme me armë.

Dy të dyshuarit e tjerë, B.A., 24 vjeç, dhe E.S., 30 vjeç, akuzohen për posedim dhe tregti të paautorizuar të armëve dhe municionit.

Në njoftim nuk thuhet se grupi kishte planifikuar ndonjë sulm konkret dhe nuk janë dhënë hollësi për shënjestra të mundshëm apo ndonjë kërcënim të menjëhershëm.

Policia tha gjithashtu se gjatë kontrolleve është konstatuar përdorim i paautorizuar i energjisë elektrike, për çka po ndërmerren masa shtesë.

I ashtuquajturi Shteti Islamik është organizatë ekstremiste që është shpallur organizatë terroriste nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera.

Shteti Islamik kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut mes viteve 2014 dhe 2019. Megjithëse humbi të ashtuquajturin “kalifat” territorial, degët dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të veprojnë në pjesë të ndryshme të botës.

Gjatë luftërave në Siri dhe Irak, veçanërisht mes viteve 2012 dhe 2017, qindra njerëz nga vendet e Ballkanit Perëndimor i ishin bashkuar ISIS-it dhe grupeve të tjera militante.