Ballina Bota Pas më shumë se 200 vjetësh, SHBA-ja pritet të ekzekutojë një grua...

Pas më shumë se 200 vjetësh, SHBA-ja pritet të ekzekutojë një grua në Tennessee – çfarë fshihet pas rastit?

26
0

Christa Pike, e dënuar për një vrasje brutale të kryer kur ishte vetëm 18 vjeçe, pritet të ekzekutohet të mërkurën. Avokatët kanë kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Supreme, ndërsa familja e viktimës kundërshton faljen.

Një rast që ka ngjallur debat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i afrohet momentit vendimtar. Christa Pike, tashmë 50 vjeçe, pritet të ekzekutohet më 30 shtator në shtetin Tennessee, duke u bërë gruaja e parë ndaj së cilës zbatohet dënimi kapital në këtë shtet pas më shumë se dy shekujsh.

Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer, një vajze me të cilën ndiqte të njëjtin program arsimimi në Knoxville. Krimi ishte kryer një vit më parë, kur Pike ishte 18 vjeçe.

Sipas dokumenteve të çështjes, viktima ishte joshur drejt një zone të izoluar, ku ishte sulmuar dhe vrarë në mënyrë brutale. Në krim ishin përfshirë edhe dy persona të tjerë. Ish-i dashuri i Pike mori dënim me burgim të përjetshëm, ndërsa personi i tretë përfitoi një dënim më të lehtë pasi bashkëpunoi me autoritetet.

Avokatët e Pike argumentojnë se gjykimi i saj nuk i kishte marrë mjaftueshëm parasysh traumat e fëmijërisë, abuzimet dhe problemet e shëndetit mendor. Ata kërkojnë që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi.

Megjithatë, guvernatori i Tennessee-s, Bill Lee, ka refuzuar ta falë. Mbrojtja i është drejtuar Gjykatës Supreme të SHBA-së për pezullimin e ekzekutimit.

Në anën tjetër, nëna e viktimës kundërshton zbutjen e dënimit, duke këmbëngulur në përgjegjësinë për krimin dhe vuajtjet që familja ka përjetuar.

Rasti ka rikthyer debatin amerikan mbi dënimin me vdekje, veçanërisht në rastet kur krimi është kryer në moshë shumë të re. Organizata Amnesty International ka kërkuar ndalimin e ekzekutimit, duke vënë në diskutim trajtimin e historisë personale dhe gjendjes psikologjike të së dënuarës gjatë procesit gjyqësor.