Ballina Politika Qeni që leh nuk të ha… sidomos po e bëre ministër!

Qeni që leh nuk të ha… sidomos po e bëre ministër!

34
0

Qeni që leh nuk të ha… sidomos po e bëre ministër!

Të paktën kështu thonë zëra brenda stafit të afërt të Edi Ramës, sipas të cilëve Erion Braçe mund të jetë ministri i ardhshëm i Bujqësisë.

Opozitari i madh brenda Partisë Socialiste, kritiku i autoritarizmit dhe kandidati i vetëshpallur për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duket se ka marrë një propozim shumë më interesant: të rikthehet në qeverinë e Edi Ramës.

Diçka krejt normale, po të mendosh se si është katandisur Partia Socialiste. Por edhe paksa e shëmtuar, po të kujtosh se vetëm pak javë më parë Erion Braçe klithte për mungesën e demokracisë në PS, për autoritarizmin dhe për mënyrën se si merreshin vendimet në partinë e tij.

Klithma aq drithëruese, sa arritën të shkaktonin edhe zemërimin e Zeusit, i cili i kujtoi Braçes se duhej të rrinte urtë, përndryshe mund edhe të përjashtohej nga partia nëse nuk votonte reformën territoriale.

Dhe Braçe, që deri atëherë kishte tundur flamurin e demokracisë së brendshme, e votoi reformën me bindje të plotë. Natyrisht, me dhëmbët shtrënguar.

Tani, sipas burimeve të VNA, mund të vijë edhe shpërblimi: një karrige në qeveri, pikërisht në Ministrinë e Bujqësisë.

Por Braçe nuk është emri i vetëm që përflitet në korridoret e pushtetit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Ulsi Manja pritet të emërohet zëvendëskryeministër, ndërsa ndryshime të tjera në kabinet mund të diktohen edhe nga kandidimi i ndonjë ministri për kryetar bashkie.

Megjithatë, mbledhja e nesërme e Asamblesë së Partisë Socialiste nuk pritet të sjellë ndonjë çudi të madhe. As ndonjë ndryshim që të tronditë themelet e pushtetit.

Në fund të fundit, në 35 vitet e fundit politika shqiptare ka prodhuar plot qurravitës të kryetarëve, që kanë bërtitur për demokraci, janë ankuar për autoritarizëm, kanë kërcënuar me rebelim dhe më pas janë qetësuar sapo u është ofruar një karrige.

Sepse në politikën shqiptare, siç duket, rëndësi nuk ka sa fort leh. Rëndësi ka sa shpejt pushon kur të thërrasin për ministër./vna