Ballina Politika Raporti i DASH për Shqipërinë: Korrupsioni, emigracioni dhe pastrimi i parave mbeten...

Raporti i DASH për Shqipërinë: Korrupsioni, emigracioni dhe pastrimi i parave mbeten sfida për ekonominë

21
0

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2026 për klimën e investimeve në Shqipëri, ku evidenton rritjen e ekonomisë dhe të investimeve të huaja, por njëkohësisht nënvizon problematikat që vijojnë të ndikojnë klimën e biznesit në vend.

Sipas raportit, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe sektori i pasurive të paluajtshme. Prodhimi i Brendshëm Bruto vlerësohet në rreth 30 miliardë dollarë, ndërsa inflacioni zbriti në 2.2%.

DASH evidenton gjithashtu uljen e borxhit publik, i cili nga 75% e PBB-së në vitin 2021 zbriti në 52.6% në vitin 2025. Megjithatë, PBB-ja për frymë mbetet rreth një e katërta e mesatares së Bashkimit Europian.

Pavarësisht treguesve pozitivë, raporti rendit një sërë sfidash strukturore për ekonominë shqiptare. Mes tyre përmenden korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, ekonomia informale, produktiviteti i ulët dhe mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit.

Një zhvillim pozitiv është rritja e investimeve të huaja direkte. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë të cituara në raport, ato arritën nivelin rekord prej 1.84 miliardë dollarësh gjatë vitit 2025. Stoku i përgjithshëm i investimeve të huaja arriti rreth 17 miliardë dollarë, 57% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Sektori i pasurive të paluajtshme zuri peshën më të madhe të investimeve të huaja, me 34%, i ndjekur nga shërbimet financiare me 18%, industritë nxjerrëse me 10% dhe tregtia me shumicë e pakicë me 10%.

Raporti evidenton kështu një ekonomi në rritje dhe interes të shtuar të investitorëve të huaj, ndërsa korrupsioni, informaliteti, emigracioni dhe probleme të tjera institucionale vijojnë të konsiderohen pengesa për klimën ekonomike dhe të investimeve në Shqipëri.