Ballina Politika Skandali i SHISH, Rama flet në emër të KE në sy Von...

Skandali i SHISH, Rama flet në emër të KE në sy Von der Layen dhe e bind se “Ishin një mendje me mua”

42
0

Rama e përdori qëndrimin e Brukselit ndaj procesit të integrimit për të mbrojtur tezën e tij se Shqipëria po bën progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe deklaroi se zhvillimet që në Shqipëri interpretohen si goditje për qeverinë, nga Komisioni Europian shihen ndryshe.

Duke iu rikthyer konkretisht çështjes së ish-drejtueses së SHISH, kryeministri shmangu një përfundim mbi pretendimet për cenimin e sigurisë kombëtare, duke deklaruar se këtë duhet ta përcaktojë procesi gjyqësor.

Gjithashtu Rama hodhi poshtë pretendimet se partnerët ndërkombëtarë kanë ngritur shqetësime ndaj qeverisë shqiptare për këtë çështje. Sipas tij, shqetësime të tilla janë artikuluar nga ata që ai i cilësoi si “shpërndarës dhe agjitatorë” të materialeve të bëra publike.

Rama: Pyesni veten pse BE-ja, KE-ja, ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur e për të përhapur valë dëshpërimi, i sheh si arsye për ta konsideruar Shqipërinë partner shumë serioz dhe vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me përpjekje të përditshme dhe prova të një lufte pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 Ajo që këtu nga shumëkush shihet si regres, nga KE-ja shihet si progres. Për mua është transformim.

 Gjithçka t’ia lëmë gjykatës. Procesi do të tregojë nëse është prekur siguria kombëtare.

Një shqetësim i tillë, që na vjen nga shpërndarësit dhe agjitatorët e materialeve të shpërndara, nuk na ka ardhur nga asnjë partner.

Në fund, kryeministri kërkoi që çështja t’u lihet organeve të drejtësisë dhe që përfundimet të nxirren vetëm pas mbylljes së procesit.

“Gjykatësit dhe prokurorët të bëjnë punën e tyre dhe në fund të dalë rezultati”, tha Rama.

Qëndrimi vijon linjën e mbajtur prej tij edhe pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak ndaj Vlora Hysenit, kur Rama deklaroi se çdo dyshim duhet të hetohet dhe çdo akuzë të provohet ose rrëzohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.