Ballina Europë Forcimi i sigurisë dhe kufijve të jashtëm/ Bashkimi Evropian investon 130 milionë...

Forcimi i sigurisë dhe kufijve të jashtëm/ Bashkimi Evropian investon 130 milionë euro shtesë në teknologjinë e dronëve

29
0

Komisioni Evropian ka vendosur të shtojë 130 milionë euro në financimin për teknologjitë e dronëve dhe kundër-dronëve, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e mbikëqyrjes dhe sigurisë së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, sipas “Euronews”.

Financimi shtesë vjen pasi Komisioni kishte parashikuar më herët 250 milionë euro për vendet anëtare, për blerjen e dronëve dhe sistemeve kundër dronëve, integrimin e tyre në sistemet kombëtare të mbikëqyrjes së kufijve dhe përdorimin e teknologjive të reja për përballimin e kërcënimeve hibride.

Sipas Komisionit, fondet prej 250 milionë eurosh mund të mbulojnë deri në 90% të kostove të projekteve.

Rritja e re prej 130 milionë eurosh u vendos pas kërkesës së lartë dhe numrit të madh të propozimeve nga vendet anëtare.

Komisioneri evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, tha se dronët janë të rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e kufijve, por edhe për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Përveç këtij financimi, BE-ja ka vënë në dispozicion edhe rreth 169,6 milionë euro për pajisje pa ekuipazh për mbikëqyrjen e kufijve, të cilat mund të përdoren nga autoritetet kombëtare dhe nga “Frontex”, agjencia evropiane e kufijve. 

Me paketat e ndryshme të financimit, investimet e BE-së në teknologjitë e reja për mbikëqyrjen e kufijve kalojnë 500 milionë euro.

Vendimi është pjesë e një qasjeje më të gjerë të BE-së ndaj kërcënimeve nga dronët.