Një 38-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi u kap duke qarkulluar me automjet, ndërsa mbante me vete një armë zjarri dhe municion luftarak.
Operacioni policor i koduar “Gjurma” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale Tiranë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes në rrugën “Perlat Rexhepi”, uniformat blu ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi Denis Koni, 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të automjetit, në çantën marsup të 38-vjeçarit u gjet një armë zjarri pistoletë, ndërsa poshtë sediljes së drejtuesit u gjetën dhe sekuestruan 23 fishekë.
Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve policore, Denis Koni u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







