Ballina Aktualitet Ish ministër i Kurtit, drejtori i Portit të Durrësit: Prokuroria Speciale e...

Ish ministër i Kurtit, drejtori i Portit të Durrësit: Prokuroria Speciale e Kosovës ka pushuar hetimet ndaj meje

56
0

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj tij, të nisura rreth dy vite më parë.

Aliu tha se gjatë hetimeve ishte shqyrtuar edhe pasuria e tij dhe e familjes, ndërsa theksoi se të hyrat dhe pasuria e tij kanë qenë të deklaruara në vazhdimësi që nga viti 2011.Ai tha se gjatë kësaj periudhe ishte përballur me “shpifje dhe ofendime”, por kishte zgjedhur të heshtte dhe ta mirëpriste procesin hetimor.

“Jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën”, shkroi Aliu, duke falënderuar të gjithë ata që i kishin besuar.

Postimi i plotë:

Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Kam marrë lajmin e mirë nga avokati im për vendimin për pushimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj meje. Ky vendim është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.

Ky proces hetimor ka filluar para dy vitesh dhe përgjatë tërë kohës është përcjellë me spekulime të shumta mediatike. Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot, edhe tani që kam marrë detyrën e re.

Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar që kam bërë përpjekje në jetë ta zbatoj me modesti.

Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm.

Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën. I falenderoj të gjithë ata që më besuan.