Këshilli i Lartë i Prokurorisë po përballet me vonesa në procesin e vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, ndërsa më 5 dhjetor përfundon mandati i Olsian Çelës.
KLP-ja, e cila duhet t’i përcjellë Kuvendit tre kandidatë potencialë për postin, duket se nuk ka respektuar afatet e parashikuara në ligj. Rezulton se Këshilli nuk ia ka deleguar formularët ILDKPI-së brenda pesë ditëve nga mbyllja, në 1 gusht, e afatit të aplikimit, por me një muaj e gjysmë vonesë.
“Kemi kaluar çdo afat”, u shpreh Ledina Riza, anëtare e KLP.
Rezulton se Këshilli nuk ka nisur ende vlerësimin paraprak të pesë kandidatëve, që duhet të ishte mbyllur brenda 45 ditëve, pra deri në 15 shtator.
Procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm vijon të mbetet në ngërç, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk ka hartuar listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe të atyre që përjashtohen nga gara.
Pavarësisht se ligji parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të verifikojë arsyet e bllokimit të procedurave, deri tani nuk është kryer asnjë verifikim nga ILD.
Gjatë muajit shtator, procesi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është shoqëruar me debate të vazhdueshme mes anëtarëve, përfshirë edhe kërkesat për përjashtimin e njëri-tjetrit nga procedurat. Këto lëvizje kanë ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e Këshillit dhe në mënyrën se si mund të zhvillohet procesi i votimit për kandidatët.
Pas rreth një muaji debatesh për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në mbledhjen e fundit KLP vendosi, pas kërkesës së njërit prej anëtarëve, të përjashtojë Zeqir Hodën nga të gjitha procedurat e vlerësimit. Me këtë vendim, numri i anëtarëve që marrin pjesë në proces u reduktua nga 11 në 10.
Ndërkohë, ende nuk janë shqyrtuar kërkesat për përjashtimin e dy anëtarëve të tjerë të Këshillit, Vate Stakës dhe Sokol Stojanit. Vendimmarrja për këto kërkesa pritet të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme të KLP-së.
Mbledhja e radhës është parashikuar të zhvillohet të enjten. Megjithatë procesi është përballur edhe me probleme për formimin e kuorumit. Kjo pasi disa mbledhje të mëparshme nuk kanë mundur të zhvillohen për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të anëtarëve.







