Nga Klevi Elezi
Ndoshta një ditë (mbase dhe nesër) mund të jem edhe unë në një video intime që dikush e ka regjistruar në një moment privat të jetës time.
Dhe nëse ajo video del nesër në internet, ndoshta do të më rëndojë. Do të më prekë familjen, miqtë, punën, emrin dhe dinjitetin tim.
Por pikërisht për këtë arsye po e them shumë qartë: problemi nuk është kush është personi në video. Problemi është kush e ka filmuar, kush e ka marrë, kush e ka publikuar dhe kush e ka shpërndarë.
Nëse dy njerëz të rritur kanë zgjedhur të kenë një marrëdhënie private, ajo marrëdhënie nuk bëhet pronë e publikut. Nuk i jep askujt të drejtën të hapë telefonin, WhatsApp-in apo rrjetet sociale dhe ta kthejë intimitetin e dikujt në spektakël.
Dhe këtu lind pyetja ime për shtetin:
Nëse ekzistojnë prova se dikush ka marrë, publikuar apo shpërndarë materiale intime pa pëlqimin e personave që shfaqen në to, pse të mos hetohet deri në fund dhe të mbahet përgjegjës kushdo që rezulton autor?
Edhe për Elton Tozajn, nuk kërkoj gjyq në Facebook dhe as arrestim si dënim publik. Kërkoj diçka shumë më të thjeshtë:
Hetim. Prova. Përgjegjësi.
Nëse rezulton se nuk ka shpërndarë materialet, atëherë kjo duhet të provohet dhe të jetë e qartë.
Nëse rezulton e kundërta, atëherë duhet të përgjigjet për veprimet e tij si çdo qytetar tjetër.
Sepse shteti serioz nuk duhet të pyesë nëse viktima është këngëtare, gazetare, politikane, aktore apo një qytetare e panjohur.
Sot janë ata. Nesër mund të jemi ne.
Dhe kur të jetë radha jonë, do të duam të jetojmë në një vend ku privatësia mbrohet nga ligji dhe jo në një vend ku turma vendos kush duhet turpëruar.
Intimiteti nuk është lajm. Nuk është argëtim. Dhe mbi të gjitha, nuk është pronë e publikut.







