Ballina Kulturë Si një psikiatër në Nuremberg hyri në mendjen e nazistëve

Si një psikiatër në Nuremberg hyri në mendjen e nazistëve

40
0

Kur aleatët përgatiteshin të nxirrnin para gjyqit drejtuesit kryesorë të Gjermanisë naziste në Nuremberg, ushtria amerikane ngarkoi një psikiatër të ri, kapitenin Douglas McGlashan Kelley, me një detyrë të pazakontë. Ai duhej të vlerësonte gjendjen mendore të nazistëve të arrestuar dhe të sigurohej që ata të ishin në gjendje të përballonin gjyqin.

Kelley, i cili deri atëherë kishte drejtuar shërbimet psikiatrike për mijëra ushtarë amerikanë, nuk kishte përvojë me kriminelë lufte. Megjithatë, ai e pa detyrën si një mundësi të jashtëzakonshme për të kuptuar se çfarë i shtynte këta njerëz të kryenin krime kaq të rënda. A ishin drejtuesit nazistë ndryshe nga njerëzit e tjerë?

“Këndi i lojërave të një psikiatri”

Në gusht të vitit 1945, Kelley mbërriti në Mondorf-les-Bains të Luksemburgut, ku amerikanët kishin ngritur një qendër sekrete marrjeje në pyetje dhe kishin kthyer një hotel në burg, të quajtur “Camp Ashcan”. Aty mbaheshin figura të rëndësishme naziste, mes tyre admirali Karl Dönitz dhe Hermann Göring, një nga njerëzit më të fuqishëm të regjimit të Hitlerit.

Më vonë, të burgosurit u transferuan në Nuremberg, ku Kelley duhej të intervistonte 22 prej tyre dhe të përgatiste vlerësime psikiatrike. Por ai nuk i shihte vetëm si pacientë. Ai i studionte si subjekte kërkimore, duke mbajtur shënime të hollësishme dhe duke analizuar sjelljen e tyre.

Për Kelley-n, burgu ishte, siç e quante vetë, “këndi i lojërave i një psikiatri”.

Göring dhe Kelley

Nga të gjithë të burgosurit, Kelley kaloi më shumë kohë me Hermann Göring-un. Ishte ndoshta nazisti më i famshëm ende gjallë dhe një figurë jashtëzakonisht karizmatike.

Sipas autorit Jack El-Hai, Kelley dhe Göring-u kishin disa ngjashmëri: të dy mund të ishin simpatikë, manipulues dhe kishin ego të mëdha. Göring-u, megjithatë, shfaqte një mungesë të dukshme empatie dhe besonte se historia do ta justifikonte një ditë.

Ai i tha Kelley-t se, edhe nëse do të ekzekutohej, në të ardhmen do të kishte statuja të tij nëpër Gjermani.

Pas muajsh intervistash dhe testesh psikologjike, përfshirë testin e njollave të bojës Rorschach, Kelley arriti në një përfundim befasues: pothuajse asnjë nga drejtuesit nazistë nuk shfaqte shenja të një sëmundjeje mendore që do t’i bënte të konsideroheshin të çmendur.

Kjo e habiti veçanërisht në rastin e Göring-ut. Kelley e konsideronte atë inteligjent dhe të kulturuar, por njëkohësisht të privuar nga ndjenja e moralit dhe empatisë.

Gjykimi dhe vetëvrasja e Göring-ut

Göring-u dhe 21 nazistë të tjerë dolën para Tribunalit Ushtarak Ndërkombëtar në nëntor të vitit 1945. Kelley u largua nga Nurembergu rreth dy muaj pas fillimit të gjyqit, duke u kthyer në Shtetet e Bashkuara për t’iu bashkuar familjes dhe për të shkruar një libër mbi përvojën e tij.

Göring-u vazhdoi të mbrohej me vendosmëri, por gjykata e shpalli fajtor për të katër akuzat kryesore: komplot për të zhvilluar luftë, krime kundër paqes, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Me 1 tetor 1946, ai u dënua me vdekje në litar.

Pak orë para ekzekutimit, Göring-u mori cianid kaliumi që e kishte fshehur dhe kreu vetëvrasje. Kelley u trondit nga lajmi, por reagimi i tij ishte kontrovers. Ai e përshkroi vetëvrasjen si një veprim “të aftë, madje brilant”.

Kelley përfundon si Göringu

Pas luftës, Kelley u bë psikiatër, pedagog, lektor dhe më vonë konsulent për policinë dhe çështje kriminale në Kaliforni. Ai shkroi librin 22 qelitë e Nurembergut, ku argumentonte se nazistët nuk ishin domosdoshmërisht njerëz të ndryshëm nga të tjerët.

Një tjetër psikolog që kishte punuar në Nuremberg, Gustave Gilbert, nuk ishte dakord. Gilberti e konsideronte Göring-un një “psikopat agresiv” dhe besonte se udhëheqësit nazistë kishin karakteristika të veçanta. Të dy studiuesit janë kritikuar më vonë për përpjekjen për të nxjerrë përfundime të gjera mbi “mendjen naziste” nga një grup relativisht i vogël njerëzish.

Në dukje, Kelley kishte arritur sukses profesional. Por jeta e tij familjare ishte e trazuar. Ai pinte shumë, konfliktohej me bashkëshorten dhe sillej në mënyrë autoritare me të birin.

Me 1 janar të vitit 1958, pas një konflikti me gruan, Kelley u ngjit në zyrën e tij dhe njoftoi se do të merrte cianid dhe do të vdiste brenda 30 sekondash. Ai e gëlltiti helmin dhe u rrëzua. Në prani të gruas, babait dhe djalit të tij 10-vjeçar, Kelley vdiq rrugës për në spital.

Fakti që ai vdiq në të njëjtën mënyrë si Göring-u nuk kaloi pa u vënë re. Fillimisht u përfol se mund ta kishte marrë cianidin nga Nurembergu, por më vonë u zbulua se helmi ishte blerë nga një furnizues kimik në Shtetet e Bashkuara.

Motivi i saktë i vetëvrasjes mbeti i paqartë. Disa e lidhën me mbingarkesën dhe problemet personale, ndërsa të tjerë e konsideruan një mister.

Megjithatë, sipas El-Hait, zgjedhja e cianidit nuk ishte rastësi. Për Kelley-n, ai mund të ketë qenë një rikthim simbolik te Göring-u dhe mënyra sfiduese me të cilën ai i dha fund jetës.

Kështu, dy burra që ishin shumë të ndryshëm, por edhe çuditërisht të ngjashëm në disa aspekte, mbetën përgjithmonë të lidhur në histori.