Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përfshirë në një protestë në pritje të kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia ka ndërhyrë duke i larguar nga ambientet ku pritet të zhvillohet takimi me kreun e qeverisë.
Protesta vjen në nisje të vitit të ri akademik, në një kohë kur transporti dhe akomodimi vijojnë të jenë ndër problematikat kryesore për studentët e UAMD-së. Mijëra të rinj ndjekin studimet në kampusin e Spitallës, ndërsa një pjesë e tyre udhëtojnë çdo ditë nga Tirana, duke e bërë transportin një prej shqetësimeve të vazhdueshme.
Universiteti ka deklaruar se synon krijimin e një linje direkte për studentët që udhëtojnë nga Tirana, ndërsa për akomodimin e të rinjve që vijnë nga qytete të tjera pritet një zgjidhje më afatgjatë përmes projektit të Kampusit të Ri Universitar.
Në këtë vit akademik, UAMD ka regjistruar rreth 1 mijë e 800 studentë të rinj, rreth 100 më shumë se një vit më parë, ndërsa në total universiteti numëron rreth 17 mijë e 500 studentë.
Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet mbeten ndër degët më të kërkuara, ndërsa universiteti vijon zgjerimin e programeve me diploma duale dhe mundësive për studime jashtë vendit. Paralelisht, godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale, me auditorë, laboratorë, bibliotekë dhe ambiente sportive, synon përmirësimin e kushteve për studentët.
Por përtej investimeve të reja, studentët kanë zgjedhur ta ngrenë zërin për problematikat konkrete që përballojnë çdo ditë, ndërsa në fokus të protestës së tyre janë transporti dhe akomodimi. Kampusi i Ri Universitar shihet nga universiteti si një prej projekteve kryesore për zgjidhjen afatgjatë të këtyre problematikave.







