Rreth 1,800 studentë të rinj i bashkohen këtë vit Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, rreth 100 më shumë se një vit më parë. Në total, universiteti numëron rreth 17 mijë e 500 studentë në të gjitha ciklet e studimit.
Ndër programet më të kërkuara këtë vit janë Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet, si në programet që zhvillohen në gjuhën shqipe, ashtu edhe në programet e përbashkëta me Institutin Politeknik të Bragançës në Portugali.
UAMD ofron një sërë programesh në 5 fakultetet e saj, në fusha si shkencat mjekësore teknike, teknologjia, biznesi, turizmi, edukimi, drejtësia dhe shkencat sociale.
Sipas universitetit, studentët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt degëve që ofrojnë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe mundësi për zhvillim profesional.
Një tjetër element i këtij viti është zgjerimi i dimensionit ndërkombëtar. Rreth 67 studentë të huaj janë regjistruar ose janë në proces regjistrimi, ndërsa numri i programeve me diploma të dyfishta me universitete partnere në Evropë, pritet të kalojë mbi 20.
Në ofertën e re këtë vit është edhe programi profesional dy-vjeçar “Guidë Turistike”, i cili synon të lidhë formimin universitar me njohjen profesionale dhe licencimin e guidave turistike.
Ndërkohë, studentët përballen me një universitet që po ndryshon edhe fizikisht. Godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale sjell 26 auditorë, 21 laboratorë, bibliotekë, ambiente sportive dhe hapësira të reja për jetën studentore.
Krahas investimeve, mbeten edhe problematika që prekin drejtpërdrejt studentët. Akomodimi, veçanërisht për ata që vijnë nga qytete të tjera, është një prej tyre.
Një tjetër sfidë është transporti. Dhjetëra studentë udhëtojnë çdo ditë nga Tirana drejt kampusit në Spitallë dhe universiteti synon krijimin e një linje direkte Tiranë-UAMD.
Kështu, viti akademik në Durrës nis me më shumë studentë dhe një ofertë që synon t’i afrohet gjithnjë e më shumë tregut të punës, po për studentët, cilësia e studimeve do të matet edhe përtej auditorit, te transporti, akomodimi dhe kushtet e përditshme në kampus.







