Një tjetër vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) vë në pikëpyetje vendimarrjet e drejtësisë në Shqipëri. GJEDNJ ka konstatuar se Shqipëria ka shkelur nenin 7 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në çështjen Daci kundër Shqipërisë, lidhur me dënimin e ish-gjyqtarit Luan Daci për falsifikim dokumentesh.
Vendimi i Seksionit të Tretë, i dhënë më 6 tetor 2026, u miratua unanimisht sipas këtij vendimi. Çështja lidhet me aplikimin e Dacit, në shkurt 2017, për një pozicion si anëtar i organeve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në aplikimin e tij, Daci nuk kishte deklaruar se ishte shkarkuar në vitin 1997 nga detyra e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Tiranë, pas një procedure disiplinore.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare e akuzuan dhe e dënuan për falsifikim dokumentesh. Gjykatat shqiptare e konsideruan mosdeklarimin si një formë “falsifikimi intelektual”. Daci u dënua me gjashtë muaj burgim, dënim i cili u pezullua për një vit. GJEDNJ theksoi se nuk ishte detyra e saj të përcaktonte nëse Daci kishte fshehur qëllimisht informacionin për shkarkimin e tij. Çështja kryesore ishte nëse ai mund të parashikonte në mënyrë të arsyeshme, në momentin kur dorëzoi aplikimin, se kjo sjellje do të përbënte veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” sipas nenit 186.
Sipas Strasburgut, në atë kohë nuk ekzistonte një praktikë e qartë dhe e konsoliduar e gjykatave shqiptare që një aplikim privat i këtij lloji të konsiderohej “dokument” i falsifikueshëm sipas nenit 186. GJEDNJ vuri në dukje se Gjykata e Lartë ishte mbështetur në një vendim të 12 korrikut 2017 për konceptin e “falsifikimit intelektual”. Ky vendim ishte dhënë pas aplikimit të Dacit dhe, për më tepër, kishte të bënte me rrethana të ndryshme. Sipas GJEDNJ-së, ai precedent nuk ishte i mjaftueshëm për ta bërë të parashikueshëm dënimin e tij.
Gjykata vuri në dukje gjithashtu se praktika e mëvonshme shqiptare nuk kishte qenë e njëtrajtshme. Në një çështje tjetër, A.F., ku bëhej fjalë për mosdeklarimin e një shkarkimi të mëparshëm nga detyra gjatë aplikimit për organet e rivlerësimit, autoritetet shqiptare kishin arritur në përfundimin se nuk ishte kryer vepra penale e falsifikimit të dokumenteve.
Për GJEDNJ-në, në çështjen e Dacit, neni 186 ishte interpretuar në mënyrë të gjerë dhe të paparashikueshme, në dëm të tij, në një mënyrë që nuk ishte në përputhje me thelbin e veprës penale. Gjykata arriti në përfundimin se Gjykata e Lartë kishte krijuar një vepër të re penale në çështjen e Dacit dhe më pas nuk kishte ndjekur në mënyrë të qëndrueshme të njëjtën qasje.
Kjo, sipas Strasburgut, cënoi parimin “nullum crimen sine lege” , parimin se askush nuk mund të shpallet fajtor për një vepër që nuk përbënte një vepër penale sipas ligjit në kohën kur është kryer dhe që nuk mund të parashikohej në mënyrë të arsyeshme si e tillë.
GJEDNJ theksoi se, edhe pse Daci ishte jurist dhe ish-gjyqtar, kjo nuk e ndryshonte përfundimin, pasi edhe për një profesionist të së drejtës do të kishte qenë e vështirë të parashikonte një interpretim të tillë.
Gjykata nuk caktoi dëmshpërblim financiar. Ajo vlerësoi se konstatimi i shkeljes së nenit 7 përbënte kompensim të mjaftueshëm për dëmin jopasuror dhe vuri në dukje se Daci ka mundësinë të kërkojë rishikimin e procedimit penal në Shqipëri, në bazë të nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale.







