Të paktën 17 persona, mes tyre 12 ushtarë dhe pesë minatorë, janë vrarë në një sulm të kryer nga banditë të dyshuar në shtetin Zamfara, në veriperëndim të Nigerisë.
Sipas dy burimeve të Agjencisë France-Presse në zonë, dhjetëra persona të armatosur me motoçikleta bastisën një minierë të paligjshme ari pranë fshatit Bidin, në rajonin Marou.
Banditët, të udhëhequr nga një prej drejtuesve të njohur të grupeve kriminale në zonë, vranë fillimisht pesë minatorë dhe më pas u zhvendosën drejt fshatit, ku u përleshën me forcat e ushtrisë. Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë 12 ushtarë.
“Banditët vranë 17 persona në këtë sulm, 12 ushtarë dhe pesë minatorë”, tha Abdullahi Musa Mutunji, këshilltari i fshatit.
Sipas tij, sulmi dyshohet se ishte një hakmarrje pas vrasjes së një banditi, i cili kishte kërcënuar minatorët me armë dhe u kishte kërkuar një pjesë të arit që kishin nxjerrë.
Minatorët e kishin çarmatosur dhe vrarë, ndërsa ai dyshohet se ishte pjesë e grupit të Guaska Dankaramit, i cili ushtron kontroll në këtë zonë.
“Kur Dankarami e mori vesh, ai mobilizoi njerëzit e tij dhe nisi një sulm”, tha Lawan Wanjam, i cili humbi djalin e tij në sulm.
“Ata vranë 12 ushtarë dhe pesë minatorë, përfshirë djalin tim”, deklaroi ai për AFP.
Sipas banorëve, komuniteti kishte arritur më herët një armëpushim me Dankaramin, por njerëzit e tij vazhdonin të ushtronin presion mbi fshatarët dhe t’u kërkonin minatorëve një pjesë të arit të nxjerrë.
Ushtria nigeriane nuk iu përgjigj kërkesës së AFP-së për koment mbi ngjarjen.
Minierat e paligjshme të arit konsiderohen një prej faktorëve kryesorë që ushqejnë aktivitetin e bandave në shtetet e veriperëndimit dhe qendrës së Nigerisë.
Grupet e armatosura konkurrojnë për kontrollin e minierave dhe kërkojnë pjesë të arit të nxjerrë, ndërsa rivaliteti shpesh përshkallëzohet në përleshje të dhunshme mes bandave ose mes bandave dhe minatorëve.
Guaska Dankarami besohet të ketë qenë një prej tre organizatorëve të rrëmbimit masiv të më shumë se 300 nxënësve nga një shkollë me konvikt vetëm për djem në shtetin fqinj Katsina, në dhjetor 2020.
Fëmijët u liruan një javë më vonë, pasi autoritetet paguan një shpërblim.







