Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka mbajtur fjalën e tij në Kuvend gjatë debatit për reformën e re territoriale, duke shprehur publikisht kundërshtimet e tij ndaj mënyrës se si është hartuar reforma.
Braçe u ndal fillimisht te marrëdhënia e tij me qytetarët që e kanë votuar ndër vite, duke kujtuar edhe zgjedhjen e tij të parë si deputet në Poliçan.
“U zgjodha deputet për herë të parë në Poliçan nga njerëz që jo vetëm që më votuan, por më strehuan dhe më mjekuan, kur njerëz që janë ende në këtë sallë më donin të humbur dhe të dështuar”, tha Braçe.
Ai theksoi se për 17 vite ka marrë mbështetjen e banorëve të Poliçanit, Beratit e Kuçovës, ndërsa më pas edhe të Kavajës.
“Unë kam jetuar me këta njerëz dhe u jap mirënjohje. Kush mirënjohjen nuk e njeh, lidhjen me këta njerëz nuk e njeh. Nuk është as emocionale dhe as folklorike, është marrëdhënie njerëzore dhe kush nuk e ka, nuk e kupton kurrë”, u shpreh deputeti socialist.
Duke folur drejtpërdrejt për reformën territoriale, Braçe tha se ndër vite janë bërë “eksperimente pas eksperimentesh” me pushtetin vendor.
“Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimentesh. Kam qenë në këtë Kuvend kur kryetar bashkie u bënë deputetë dhe i bënin të dyja këto”, deklaroi ai.
Sipas Braçes, reforma aktuale nuk garanton një zgjidhje afatgjatë, pasi edhe harta e re mund të ndryshojë sërish.
“Harta e provuar shumë herë është e përkohshme dhe, si reformë, tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë, veçanërisht sot paradite, se harta është mundësia politike, më troç, votave që krijon. Kështu ishte edhe në vitin 2014. Më e keqja këtu është që këtu jemi edhe sot”, tha ai.
Braçe theksoi se qëndrueshmëria e reformave duhet të mbështetet te parimet dhe jo te interesat elektorale.
“Edhe kjo hartë, që me gjasë do të ndryshojë, do të marrë fuqi në vitin 2031. Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë dhe kjo u tha hapur dhe pa ndrojtje hiç”, u shpreh deputeti.
Në vijim, ai e vendosi theksin te ndikimi që reforma do të ketë te qytetarët.
“Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”, deklaroi Braçe.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e kompetencave dhe financimit të pushtetit vendor, duke iu drejtuar edhe Maznikut.
“Po flas për kompetencat Arbër. Dëgjova që i referohesh kompetencave të bashkisë, që ata nuk i kanë përmbushur. Kompetenca të pasakta. 46 kompetenca janë sot në bashki, këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm”, tha Braçe.







