Ballina Politika SPAK hap dosje të re ndaj Artan Gaçit/ Në hetim edhe roli...

SPAK hap dosje të re ndaj Artan Gaçit/ Në hetim edhe roli i Olta Xhaçkës, dalin transaksionet dhe telefonatat, akuza për pastrim parash

66
0

Një hetim i ri është regjistruar në SPAK ndaj Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes së Partisë Socialiste dhe ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Dosja, e drejtuar nga prokurori Olsi Dado, lidhet me dyshimet për “Pastrimin e produkteve të veprës penale”.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK po kryen verifikime edhe lidhur me rolin e Olta Xhaçkës, ndërsa në dosje raportohet se janë administruar të dhëna që përfshijnë transaksione bankare dhe komunikime telefonike.

Hetimi i ri ka nisur pas të dhënave të siguruara gjatë një procedimi tjetër. Më herët, Gaçi ishte hetuar nga SPAK pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, lidhur me çështje pronësie në zonën e bregdetit të jugut. Ky procedim u pushua dhe vendimi u la në fuqi edhe nga gjykatat.

Ndërkohë, materialet e reja kanë çuar në regjistrimin e një tjetër procedimi penal, këtë herë për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Artan Gaçi është paraqitur sot në ambientet e SPAK, ku është thirrur për t’u marrë në pyetje në cilësinë e personit nën hetim. Ai është paraqitur së bashku me avokatin e tij mbrojtës.

Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë qëndrimit në SPAK, Gaçi nuk ka dhënë deklarime mbi çështjen. Ai ka kërkuar fillimisht të njihet me materialet e administruara në dosje dhe me faktet për të cilat po hetohet.

Për këtë arsye, mbrojtja ka kërkuar vënien në dispozicion të akteve hetimore. Pas kërkesës, Gaçi është larguar nga ambientet e SPAK, ndërsa pritet të thirret sërish për t’u marrë në pyetje pasi të ketë akses në materialet e dosjes.