Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka bërë një reagim në rrjetet sociale për komentet e bëra në postimet e tij pas votimit të Reformës Territoriale.
Në videon e publikuar, Braçe ka ndarë dhe disa nga këto komente, ndërsa shprehet se pas tyre qëndrojnë “patronazhistët” e një oligarku që është pjesë e politikës.
Këtij të fundit, Braçe i referohet si “oligarku i vetëm në politikë që paguan patronazhistë në territor dhe patronazhistë në rrjet”.
Më tej ai shprehet se paratë që e bënë oligark këtë politika, janë siguruar përmes gjakut, drogës dhe spekullimit.
Postimi i plotë:
PATRONAZHISTËT E OLIGARKUT NË SULM!
E prisja, ka dy ditë që e bën;
Jo vetëm ndaj meje, por ndaj cilitdo të gjalli që komenton këtu.
Shihini;
Janë pa fytyrë, pa emra, pa postime, me fare pak ndjekës apo të ndjekur prej tyre. NUK EKZISTOJNË!
Janë robotët e këllirës më të madhe që ka politika sot;
ËSHTË OLIGARKU I VETËM NË POLITIKË QË PAGUAN PATRONAZHISTË NË TERRITOR E PATRONAZHISTË NË RRJET!
Nëse ata në territor i ka banditë të dhunshëm, këta në rrjet i ka eunukë të dukshëm;
Jam marrë unë me këta. Edhe me këtë oligarkun jam marrë.
Paratë që e bënë të tillë, OLIGARK, janë në tre cikle;
Cikli i parë i parave të tij vjen erë gjak. Janë mundi e sakrifica e djemve e vajzave të shfrytëzuar barbarisht këtu, në infrastrukturat e tij. Ka fituar pafund ai prej tyre, por të shfrytëzuarit nuk marrin as sa marrin mësuesit sot si rrogë; ai nuk i paguan asgjë këtij vendi, transferon jashtë paratë e gjakut të të shfrytëzuarve këtu.
Cikli i dytë i parave të tij vjen erë miell, është ai mielli i ndyrë që masakron e vret djem e vajza edhe këtu; janë kushërinj të tij ata që kanë bërë drogën në Gjermani e që këtu ishin punonjës politikë të tij.
Cikli i tretë i parave të tij ka erën e spekulimit, shitje-blerje fiktive, fryrje fiktive të vlerave, pasuri që zmadhohet prej tyre.
Ja kam dorëzuar herët unë letrat e tyre agjencive të kësaj qeverie; ja, bëjnë muuu; nuk e kam kuptuar kurrë pse e kanë falur. Si thoni? Pse e kanë falur?







