Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një video nga pjesëmarrja e Belinda Balluku në Kuvend për të votuar Hartën Territoriale, duke e cilësuar të papranueshme që një person i akuzuar për 14 vepra penale të vazhdonte të ushtronte funksione publike dhe të merrte vendime që ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Në reagimin e tij, të publikuar në kuadër të ditës së 32-të të thirrjes për “Drejtësi pa vonesa”, Bardhi theksoi se akuzat ndaj Ballukut përfshinin dy akuza për korrupsion, dy për pastrim parash, dy për fshehje pasurie dhe tetë për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas Bardhit, mosveprimi dhe zvarritja e çështjes së Belinda Ballukut kishin ngritur pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit dhe kishin forcuar perceptimin se për personat me pushtet ose të mbrojtur nga pushteti, drejtësia në Shqipëri vepronte me një ritëm tjetër.
Ai nënvizoi se ligji duhej të ishte i barabartë për të gjithë, pa përjashtime, privilegje apo standarde të dyfishta, ndërsa i kërkoi SPAK-ut të vepronte me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, akuzat penale kërkonin përgjigje institucionale dhe nuk duhej të shoqëroheshin me heshtje apo zvarritje. Bardhi theksoi gjithashtu se drejtësia nuk duhej të priste sinjale politike dhe as të kushtëzohej nga vullneti i Kryeministrit, por duhej të vepronte në mënyrë të pavarur dhe me të njëjtin standard për këdo.
Në përfundim të reagimit, Bardhi e cilësoi ditën e 32-të të pritjes si një tjetër ditë në të cilën kërkohej përgjegjësi, duke përsëritur mesazhin se askush nuk ishte mbi ligjin dhe se drejtësia duhej të vepronte.
Postimi i Gazmend Bardhit:
DITA 32 – Drejtësi pa vonesa!
Është e papranueshme që një person i akuzuar për 14 vepra penale 2 akuza për korrupsion, 2 për pastrim parash, 2 për fshehje pasurie dhe 8 për shkelje të barazisë në tendera të vazhdojë të jetë i lirë dhe të ushtrojë funksione publike, duke marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Mosveprimi dhe zvarritja në çështjen e Belinda Ballukut ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit dhe forcojnë perceptimin se në Shqipëri, për njerëzit me pushtet ose të mbrojtur nga pushteti, drejtësia ecën me një ritëm tjetër.
Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Pa përjashtime. Pa privilegje. Pa standarde të dyfishta.
SPAK duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara, në përputhje me ligjin. Akuzat penale janë serioze dhe kërkojnë përgjigje institucionale, jo heshtje apo zvarritje.
Drejtësia nuk mund të presë sinjale politike dhe as të kushtëzohet nga vullneti i Kryeministrit. Ajo duhet të veprojë e pavarur, me integritet dhe me të njëjtin standard për këdo.
Dita e 32-të e pritjes është një tjetër ditë ku kërkohet përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Drejtësia duhet të veprojë!







