Në Shqipërinë e pluralizmit politik vështirë se gjendet një precedent kur një kryeministër u drejtohet publikisht prindërve të fëmijëve që protestojnë, duke i paralajmëruar për pasoja ligjore, financiare, deri edhe për përgjegjësinë prindërore.
Edi Rama e bëri këtë sot, pas ditësh protestash dhe përplasjesh në rrugët e Tiranës. Mesazhi nuk iu drejtua vetëm atyre që hedhin molotovë apo kryejnë akte dhune. Kryeministri zgjodhi t’u fliste drejtpërdrejt familjeve, duke i paralajmëruar për pasojat që mund të kenë nëse fëmijët e tyre të mitur përfshihen në akte të dhunshme gjatë protestave.
Socialistët kanë pasur prej vitesh një përgjigje thuajse standarde sa herë qeveria kritikohet për një fenomen të caktuar: “ndodh edhe në botë”. Por këtë herë krahasimi bëhet i vështirë. Nuk është e lehtë të gjesh në një demokraci europiane një kryeministër që, në kulmin e protestave kundër qeverisë së tij, zgjedh t’u drejtohet prindërve me paralajmërime për pasoja ligjore, financiare dhe familjare.
Për të qenë sot në Tiranë, Rama anuloi edhe vizitën zyrtare në Austri, ku ishte parashikuar të pritej nga kancelari austriak.
Dhe pikërisht këtu deklarata e Kryeministrit meriton të shihet përtej përplasjes politike të ditës. Askush nuk mund të argumentojë se të miturit kanë të drejtë të ushtrojnë dhunë, të hedhin molotovë apo të shkatërrojnë pronën. Për akte të tilla ekziston ligji dhe ekzistojnë institucionet që duhet ta zbatojnë atë.
Por një gjë është përgjegjësia ligjore për një akt konkret dhe krejt tjetër është mesazhi që përcillet kur kreu i qeverisë, në mes të një vale protestash, vendos në qendër të fjalës së tij prindërit dhe përgjegjësinë e tyre ndaj fëmijëve.
Sepse në rrugët e Tiranës nuk kanë dalë vetëm persona që hedhin molotovë. Kanë dalë studentë, gjimnazistë dhe të rinj që protestojnë. Dhe pikërisht për këtë arsye kufiri mes paralajmërimit për respektimin e ligjit dhe një mesazhi që mund të perceptohet si presion ndaj familjeve bëhet shumë i hollë.
Çfarë duhet të kuptojë sot një prind që dëgjon Kryeministrin? T’i thotë fëmijës të mos ushtrojë dhunë, gjë që do të ishte krejtësisht normale, apo t’i thotë të mos dalë fare në protestë nga frika e pasojave?
Dhe, meqë prej vitesh na është thënë se shumë prej gjërave që ndodhin këtu “ndodhin edhe në botë”, këtë herë pyetja mund të bëhet fare thjesht:
A ndodh edhe kjo në botë?/vna







