Ballina Politika Mazniku solli videot e Milanos për të mbrojtur policinë shqiptare, por harroi...

Mazniku solli videot e Milanos për të mbrojtur policinë shqiptare, por harroi t’u tregojë shqiptarëve çfarë ndodh me ministrat nën hetim në Itali

33
0

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, deklaroi në emisionin “Opinion” se reagimi i Policisë shqiptare ndaj protestuesve është shumë më korrekt dhe proporcional se ai i policive në vendet e tjera europiane ku janë zhvilluar protesta të ngjashme.

Madje, ministri kishte ardhur i përgatitur. Kishte sjellë edhe video nga përplasjet në Piazza Duomo të Milanos, për të treguar se mënyra se si ndërhyn policia në Shqipëri është pak a shumë e njëjtë me atë të policisë italiane.

Por videot e Milanos nuk tregojnë atë që kemi parë në rrugët e Tiranës këto ditë: efektivë me fytyra të mbuluara, të rinj të goditur dhe pamje të ndërhyrjeve policore që kërkojnë hetim serioz. Ministri mund të sjellë sa video të dëshirojë nga Europa, por asnjëra prej tyre nuk i jep përgjigje pyetjes se kush mban përgjegjësi për dhunën e dokumentuar në Shqipëri.

Dhe meqë Mazniku kishte zgjedhur Italinë për të na dhënë leksione mbi standardet europiane, mund të kishte sjellë në studio edhe historinë e ministres italiane të Turizmit, Daniela Santanchè.

Santanchè, e përfshirë në çështje gjyqësore për falsifikim të dyshuar të bilanceve financiare dhe përfitim të dyshuar të paligjshëm të fondeve publike, dha dorëheqjen më 25 mars 2026, pasi kryeministrja Giorgia Meloni i kërkoi publikisht largimin. Ministrja i mohonte akuzat dhe nuk kishte një vendim përfundimtar fajësie ndaj saj, por Meloni kërkoi largimin e saj nga qeveria.

Në Shqipëri, ndërkohë, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, gjeti mbrojtjen e shumicës parlamentare. Më 12 mars 2026, Kuvendi rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të saj. Socialistët votuan për të mos lejuar masën e kërkuar nga SPAK.

Herën tjetër, le të marrë edhe videon e Giorgia Melonit që i kërkon ministres së saj dorëheqjen. Dhe, meqë i pëlqejnë krahasimet, le ta vendosë përballë votimit të 82 deputetëve që rrëzuan kërkesën e SPAK për Ballukun.

Pastaj mund të flasim për standardet europiane./vna