Një inxhinier teknologjie, Enrik Shënepremte, ka publikuar në rrjetet sociale një video ku, gjatë një bisede me një rrobaqepëse, ngre dyshime lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e stemave dhe numrave të identifikimit, false, të Policisë.
Në kamerën e fshehtë, gruaja dëgjohet të thotë se i dërgon porositë te drejtoritë përkatëse me postë dhe se ato merren në orën 19:00, pasi përfundon përgatitjen e porosive.
“Vjen i merr çdo drejtori?”, pyet ai, ndërsa ajo përgjigjet duke thënë: “Jua nis unë, ore, jua nis unë me postë. I merr posta në orën 7 të darkës, kur mbyll porositë unë, me kode, me të gjitha aty. Bën edhe verifikimet e tua në sisteme, se të hapin edhe probleme”.
Gjatë bisedës, inxhinieri blen edhe stema dhe numër identifikimi, duke pretenduar se është efektiv i Policisë së Rendit. “Policia e Rendit, rendi që jemi ne. (Merr një nga stemat.) Sa lekë do për këto tani? Paletat, numrin dhe rendin”, thotë ai, ndërsa rrobaqepësja shprehet “20 mijë (lekë të vjetra). Krahas videos, i riu shkruan se do ta ndjekë çështjen në rrugë penale dhe kërkon nga komentuesit të identifikojnë gruan. “Po veshin bandat me uniforma dhe numra falsë? Këtë zonjën do ta ndjekim me rrugë penale, me gjithë forcën e ligjit! Identifikojeni pak, ju lutem, emrin në komente, kush ësht”, shkruan Enrik Shënepremte krahas postimit.
Pjesë nga video:
Rrobaqepësja: Janë të gjitha, çfarë nuk kërkojnë ata.
Denoncuesi: I ke me programimin ti?
Rrobaqepësja: Po, po. Është teknologji e fundit ajo?
Denoncuesi: Po këto stemat këtu, i ke porosi?
Rrobaqepësja: Po, po, porosi.
Denoncuesi: Vjen i merr çdo drejtori?
Rrobaqepësja: Jua nis unë, ore, jua nis unë me postë. I merr posta në orën 7 të darkës, kur mbyll porositë unë, me kode, me të gjitha aty. Bën edhe verifikimet e tua në sisteme, se të hapin edhe probleme. E gjete numrin tënd?
Denoncuesi: Ky këtu, 0324. Policia e Rendit, rendi që jemi ne. (Merr një nga stemat.) Sa lekë do për këto tani? Paletat, numrin dhe rendin.
Rrobaqepësja: 20.







