Trent Alexander-Arnold po e ka gjithnjë e më të vështirë të sigurojë minuta te Real Madridi, ndërsa Jose Mourinho ka shprehur vlerësimin e tij për Federico Valverden, i cili po fiton terren në garën për një vend në formacionin titullar.
Real Madridi e mposhti Sevillan me rezultat 4:1 në La Liga, me Kylian Mbappen që realizoi dy gola, duke e zvogëluar në gjashtë pikë diferencën me Barcelonën para përballjes së ardhshme mes dy rivalëve në “El Clasico”.
Megjithatë, vëmendja pas ndeshjes u përqendrua edhe te situata e Alexander-Arnoldit, i cili vazhdon të ketë vështirësi për të siguruar një vend të rregullt në skuadrën madrilene.
Valverde shkëlqeu ndaj Sevillas, duke dëshmuar edhe një herë se mund të jetë një alternativë e rëndësishme në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kjo situatë e vështirëson edhe më shumë pozitën e mbrojtësit anglez, i cili u transferua te Reali nga klubi i tij i fëmijërisë, Liverpooli.
Pas ndeshjes, Mourinho foli me superlativa për mesfushorin uruguaian dhe shpjegoi se sa e vështirë është të lihen në stol futbollistë cilësorë si Alexander-Arnoldi dhe Denzel Dumfries.
“Ditën tjetër, gjysmë me shaka dhe gjysmë seriozisht, thashë se nëse do t’i kishim katër Valverde, ata do të luanin në katër pozita të ndryshme. Ai është një nga lojtarët më të gjithanshëm në futbollin e sotëm”, deklaroi Mourinho.
Trajneri vlerësoi paraqitjen e uruguaianit, duke theksuar se për ndeshjen ndaj Sevillas i duhej një lojtar me energji dhe cilësi në krahun e djathtë.
“Nuk është e lehtë për një trajner t’i lërë në stol dy mbrojtës të djathtë cilësorë, por mendova se do të ishte shumë e dobishme të kisha një lojtar me energji dhe cilësi për të luajtur pas Endrickut”, u shpreh ai.
Mourinho shtoi se Valverde nuk ka nevojë të bindet për rëndësinë e tij në skuadër, duke e cilësuar atë si një futbollist që mund të luajë në pozita të ndryshme në nivel të lartë.
Alexander-Arnoldi ka startuar vetëm në tri nga tetë ndeshjet e para të Real Madridit në La Liga këtë sezon, një statistikë që tregon vështirësitë e tij për t’u përshtatur me rolin në skuadrën madrilene.
Në këtë situatë, janë shtuar spekulimet për një rikthim të mundshëm te Liverpooli, nëse në të ardhmen krijohen kushtet për një marrëveshje.
Mbrojtësi anglez, i cili për vite me radhë ishte një nga lojtarët kryesorë të Liverpoolit, tani duhet të luftojë për minutat e tij te Reali. Nëse situata nuk ndryshon, një largim nga Madridi mund të bëhet një mundësi që ai do ta shqyrtojë.







