Ajo që po ndodh në Autoritetin Rrugor Shqiptar është një komedi, që mund të sfidojë pa frikë edhe kryeveprat më të mëdha të kinematografisë botërore. Ndërsa SPAK i merr të pandehur njëri pas tjetrit zyrtarët e lartë të ARRSH, këta të fundit kanë forcuar radhët mes tyre dhe gradojnë njëri tjetrin në poste drejtuese.
Rasti më flagrant është ai i Gëzim Nonit. Zoti Noni është zyrtarisht jo vetëm nën akuzë nga SPAK, por për të ka dhe pretencë. Prokuria e Posaçme ka kërkuar 1 vit e gjysmë burg për Gëzim Nonin për shkelje të barazisë në tendera, kërkesë e cila është konvertuar në 4 vjet shërbim prove dhe heqje e së drejtës për funksione publike për 3 vjet.
Por vetëm një muaj më parë, drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Ami Kozeli ka vendosur ta emërojë zv drejtor të këtij institucioni, Gëzim Nonin. Madje jo vetëm kaq, por Noni është caktuar de fakto drejtor i zbatimit të kontratave, aty ku lëviz 90 për qind e buxhetit të ARRSH-së.
Gëzim Noni u vu nën akuzë që në dosjen e Evis Berberit. Ai ka qenë në komisionin e tenderave thuajse për çdo lot të Unazës dhe nuk është çudi që SPAK të ngrejë akuza të reja ndaj tij.

Por Ami Kozeli e ka parë të arsyeshme ta gradojë zv/drejtor të Përgjithshëm të ARRSH duke i besuar jo vetëm zbatimin e kontratave, por edhe një pjesë të madhe të tenderave. Ironia është edhe më e madhe, pasi zoti Noni zëvendësoi në këtë detyrë, Genti Raçën, një tjetër zyrtar i ARRSH për të cilin SPAK kërkon dënim.
Nuk dihet cilat ishin aryset që e bindën Ami Kozelin të emërojë zv/drejtor një person për të cilin prokuroria kërkon dënim. Nën zë flitet se zoti Noni ka thënë se do të tregojë shokët, për tenderat e unazës, ndaj gradimi ka qenw nga halli. Këto janë zëra të pakonfirmuar. Por përtej arsyeve, e gjitha është një komedi e madhe.
Në ARRSH janë të gjithë me pretencë dhe nëse zbatohen masat që ka kërkuar SPAK, aty mbeten vetëm një grusht specialistë te shërbimeve mbështetëse, arkiva, protokolli dhe rojet. /kapital







