Ballina Kulturë A u hodh ky filozof grek në vullkan për të provuar se...

A u hodh ky filozof grek në vullkan për të provuar se ishte perëndi?

36
0

Empedokli i Akragantit (rreth 490–430 para Krishtit) ishte një filozof dhe poet grek i çuditshëm nga Siçilia, veprat e të cilit ndikuan thellësisht në filozofinë perëndimore për shekuj me radhë. Megjithatë, jeta e tij shpesh mbetet në hije për shkak të legjendës së bujshme që lidhet me vdekjen e tij: se ai u hodh në vullkanin Etna për të provuar se ishte i pavdekshëm.

Kush ishte Empedokli i Akragantit?

I konsideruar si një nga filozofët më të rëndësishëm para Sokratit (469–399 para Krishtit), Empedokli njihet si autor i dy veprave poetike, “Mbi natyrën” dhe “Pastrime”, të cilat trajtonin tema të ndryshme nga fizika, kozmologjia, biologjia, njohja dhe etika.

Ai njihet sidomos për teorinë se e gjithë materia përbëhet nga katër elemente themelore. Këtë ide, të cilën Aristoteli (384–322 para Krishtit) e përvetësoi dhe e zhvilloi më tej, e mbështet në mendimin se gjithçka në univers përbëhet nga katër elemente bazë: toka, ajri, zjarri dhe uji. Këto elemente lëvizin dhe ndryshojnë nën ndikimin e dy forcave kundërshtare kozmike: dashurisë dhe konfliktit.

Empedokli përshkruhet si një njeri që vishte rroba të purpurta, një brez të artë dhe sandale bronzi. Ai ishte gjithashtu i njohur si një mistik dhe shërues i jashtëzakonshëm, që thuhet se kishte rikthyer në jetë një grua të vdekur.

Ai besonte në një cikël të përjetshëm rilindjeje, të njohur si transmigrimi i shpirtrave, dhe pretendonte se kishte jetuar në jetë të mëparshme si “djalë dhe vajzë, shkurre, zog dhe peshk”.

Empedokli u thoshte hapur edhe ndjekësve të tij se ishte një hyjni e pavdekshme, e dëbuar nga perënditë për shkak se kishte ndjekur përçarjen. Këto besime ndikuan në krijimin e legjendave që rrethojnë vdekjen e tij.

A vdiq vërtet Empedokli në një vullkan?

Në shekullin III pas Krishtit, biografi Diogjeni Laerti përmblodhi disa rrëfime për vdekjen e Empedoklit. Shumë prej tyre pohonin se Empedokli ishte ose ishte bërë perëndi.

Për shembull, shkrimtari Heraklidi i Pontit pretendonte se Empedokli u zhduk gjatë natës, pas një gostie, mes dritave të forta dhe një zëri të fuqishëm që thërriste nga qielli.

Megjithatë, legjenda më e njohur përshkruan vdekjen e tij në një vullkan.

Sipas një versioni, Empedokli i dha fund një epidemie që kishte përfshirë qytetin e Selinuntit. Si shpërblim, banorët e qytetit filluan ta adhuronin.

Për të provuar se ishte zot, Empedokli u ngjit në majën e vullkanit aktiv Etna në Siçili, u hodh në kraterin e zjarrtë dhe u zhduk. Thuhet se ai u ngjit në malin Olimp, ku banonin perënditë greke.

Por përpjekja e Empedoklit për t’u zhdukur pa lënë gjurmë dështoi.

Sipas legjendës, vullkani zbuloi se ai ishte i vdekshëm, duke nxjerrë jashtë një prej sandaleve të tij prej bronzi në buzë të kraterit.

“Është e kotë të mohohet se ai mund të ketë vdekur duke u hedhur në vullkan: mund të ketë ndodhur”, shkruan filozofi PeterKingsley në librin “AncientPhilosophy, Mystery, andMagic: EmpedoclesandPythagoreanTradition”.

Megjithatë, Kingsley argumenton se nëse Empedokli e përfundoi vërtet jetën në malin Etna, kjo nuk është çështja kryesore. Më e rëndësishme është se si kjo legjendë na jep një pasqyrë të besimeve mistike të botës së lashtë.

A ndodhi vërtet vdekja e tij në vullkan? Me shumë gjasa, jo.

Historiani i lashtë grek Timeu i Tauromeniumit, i cili jetoi një shekull pas kohës së Empedoklit, tha se filozofi u largua nga Siçilia për në Peloponez dhe nuk u kthye më.

Me shumë mundësi, ai vdiq atje.

Një rrëfim sugjeron se Empedokli thjesht vdiq nga një sëmundje që e kishte zënë pasi ra nga një karrocë dhe theu këmbën.