Monika Kryemadhi ka reaguar për shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj saj dhe Ilir Metës në Gjykatën e Posaçme, duke kritikuar gjykatën dhe mungesën e avokatit në sallën e gjyqit.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se kishte menduar se gjykatat e mbanin fjalën, por sipas saj, kjo nuk po ndodh më. Ajo kujtoi se në seancën e kaluar u ishte thënë se mund të vijonin mbrojtjen edhe pa avokat, ndërsa theksoi se ndodhet ende në fazën e parashtrimeve të saj.
“Mendoja që gjykatat e mbanin fjalën, por sot nuk e mban më fjalën njeri. Seancën e kaluar na u tha që mund të bënim mbrojtjen pa avokat. Jam në vijimin e parashtrimeve të mia. Megjithatë, edhe prezenca e avokatëve që ishin në sallë, edhe pse pa pelerinën, tregon ngërçin e sistemit”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për një vendim të gjykatës, për të cilin pretendoi se nuk u ishte bërë i njohur avokatëve, duke theksuar se problemi kryesor për të lidhet me të drejtën për t’u mbrojtur.
“Gjykata pretendon se ka një vendim, por nuk i është bërë i njohur avokatëve. Kjo nuk më intereson. Më intereson që i gjithë procesi më shpërdoron të drejtën e votës. Më ke vendosur me ligj të më mbrojë një avokat, i cili, ngaqë nuk i do qejfi, nuk vjen në sallë dhe nuk më lejon as të vijoj të mbrohem vetë”, deklaroi ajo.
Kryemadhi tha se kjo situatë krijon pasiguri jo vetëm ligjore, por edhe emocionale, duke e cilësuar të dhimbshme dhe njëkohësisht qesharake atë që po ndodh në proces.
“Ne kemi një reformë në drejtësi që të mbrojmë qytetarët, por kjo nuk ndodh. Sa qesharake, aq e dhimbshme është kjo gjë. E kam thënë që në fillim të procesit se kjo punë do durim strategjik”, përfundoi Kryemadhi.







