Protestuesit që kërkojnë drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt kanë nisur të gjuajnë me vezë drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ndërsa situata është shoqëruar me përplasje me policinë.
Protesta po zhvillohet në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u shpreh se presin sqarime shtesë nga institucionet përkatëse lidhur me rastin dhe denoncimet që viktima ka bërë para ngjarjes së rëndë.
Ajo theksoi se konstatimi më shqetësues i raportit është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim, pasi institucionet kishin marrë sinjale paraprake për rrezikun që i kanosej.
Më herët, protestuesit janë përplasur me Policinë e Kosovës, teksa kanë tentuar të hyjnë në objekt për të ndjekur konferencën e 2 ministrave.
Pjesëmarrësit në protestë po kërkojnë llogari nga institucionet për mënyrën se si është trajtuar rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj ka nxitur reagime dhe protesta të vazhdueshme, me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe masa.







