Franca përgatitet për një tjetër ditë protestash masive, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të forta sigurie për të parandaluar përsëritjen e trazirave dhe akteve të vandalizmit të regjistruara në qytetet franceze gjatë javëve të fundit. Nga frika e përshkallëzimit të situatës, autoritetet në Paris kanë vendosur kufizime për zhvillimin e demonstratave në qendër të kryeqytetit, duke lejuar tubimet vetëm në zona të caktuara jashtë saj. Gjithashtu, në disa zona qendrore do të rikthehen oraret policore gjatë natës.
Megjithatë, Gjykata Administrative e Parisit ka vendosur që një marshim nga Place de la Bastille drejt Place de la Nation, në qendër të kryeqytetit, të mund të zhvillohet. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka bërë të ditur se qeveria do ta apelojë këtë vendim.
Nunez ka paralajmëruar gjithashtu një prani të shtuar të forcave të policisë në rrugë, duke argumentuar se ekzistojnë rreziqe për rendin publik dhe për pronat private, veçanërisht për bizneset dhe dyqanet. Autoritetet franceze presin që qindra mijëra qytetarë t’u bashkohen demonstratave. Për të përballuar situatën, edhe gjatë fundjavës së kaluar u angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie, me qëllim parandalimin e përplasjeve, akteve të dhunës dhe plaçkitjeve.
Protestat kanë nisur prej javësh nga të rinjtë, të cilët kërkojnë më shumë personel dhe pajisje më të mira në shkolla. Që nga mesi i tetorit, lëvizjes u janë bashkuar edhe grupe të tjera qytetarësh, të cilët kundërshtojnë kryesisht rritjen e kostos së jetesës. Pas trazirave të mëdha të regjistruara në prag të protestave të 17 tetorit, policia arriti të shmangte kryesisht përshkallëzimin e dhunës gjatë demonstratave të së shtunës së kaluar. Megjithatë, autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë, ndërsa Franca përballet me një tjetër valë tubimesh masive.







