Nga Artan Hoxha
Në pragun e Halloween-it, festës me maska, prej vitesh e festueshme edhe në Shqipëri, në kohën e maskave protestuese kundër gazit të policisë me maska e pa numra identifikimi, një ngjarje rutine, një transferim i një të (para)burgosuri, ia çori, njëherë e përgjithmonë, maskën e pavarësisë, paanësisë dhe përkushtimit misionar institucionit më të famshëm të viteve të fundit, SPAK-ut.
I (para)burgosuri është Erjon Veliaj, de jure Kryetar i Bashkisë Tiranë edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, por që është penguar ta ushtrojë funksionin dhe është presuar ta delegojë atë tek persona sipas kërkesës së Kryeministrit që në ditët e para të arrestimit të tij e në vijim. Nga bindja ndaj kërkesave kryeministrore, erdhi momenti kur Veliaj shfaqi shenjat e para të kundërshtimit të tyre dhe ndërmori hapat për ta rimarrë kontrollin mbi bashkinë.
Njëkohësisht e proporcionalisht ndaj tij filloi shtrëngimi i regjimit penitenciar dhe, në momentin kur ai përkrahu kundërshtitë për shkrirjen e 15 bashkive apo përshëndeti fitoren e studentëve në Serbi, Rama, me argumentimin se Veliaj mbështeska e financoka protestat e dhunshme të studentëve shqiptarë, la të kuptohej se transferimi i Veliajt në burgun e Fierit ishte i merituar e, sakend, se ndokush merrej me këtë çështje – Rama do ta konsideronte aleat me Veliajn dhe kundërshtar të tij.
Transferimi i një tjetër eksponenti të famshëm të nëndheut të Rilindjes – Ergys Agasit – nga burgu i Elbasanit tek ai i Fierit, pra bashkë me Veliajn në burgun që ndodhet në qarkun ku Belinda Balluku, zëvendëskryeministrja de facto e mbidheut të Rilindjes, ushtron pushtetin e vet territorial në shkallë më maksimale krahasimisht kudo tjetër, veçse e plotëson tablonë dhe e përforcon argumentin se Veliaj iu hodh si gjah SPAK-ut nga vetë Rama, ndonëse zbatimi i këtij akti mund të jetë kryer me zell nga Balluku dhe njerëzit e klanit të saj, siç mund të ketë ndodhur edhe me Agasin gjithashtu. Të dy këta duhet të jenë sa më të izoluar, sa më nën trysni, sa më larg epiqendrës së politikës në këtë kohë trazirash – Tiranës. Ndëshkimi dhe izolimi i Veliajt është gjithashtu paralajmërim parandalues për këdo tjetër që mund ta çojë nëpër mend të revoltohet ndaj autokratit.
Dyshimi që Veliaj ishte shitur nga Rama ka nisur që para se ai të akuzohej nga SPAK-u. Zbehja e figurës dhe ulja e rolit të Veliajt në elitën rilindëse nis që nga fillimi i vitit 2024 dhe kulmoi me arrestimin e tij. Ndonëse me fjalë Rama e degjeneroi akuzën spakiste, ai e shoi zjarrin e protestës bashkiake para GjKKO/SPAK-ut dhe, në kulmin e trishtimit të administratës bashkiake, në ditën kur festa e përvjetorit të Tiranës Kryeqytet u shndërrua në mort, Rama ia gjeti kohën të bënte edhe gallatë, duke iu thënë pjesëmarrësve të mos mërziteshin për zgjedhjet, se skuadrën e Tiranës e kishte përforcuar duke sjellë në ekipin e Tiranës Erjonin tjetër, Braçen pra, nga Dibra. Ngjarjet e mëpastajme veçse e përforcuan dyshimin se ishte Rama autori i lëshimit të Veliajt në dhëmbët e SPAK-ut, derisa edhe ky vetë u ftillua më në fund për këtë.
Në ato fillime të hetimit dhe akuzës ndaj zëvendëskryeministres Balluku, të dashuruarit me reformën e drejtësisë, ata të fundmit e mbetur pas disa zhgënjimeve pararendëse, u ngazëllyen, se menduan se u erdhi prova e shumëpritur. Rama e goditi pa mëshirë këtë ‘inkursion pavarësie’ të SPAK-ut edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe në Kuvend dhe tashmë, ndonëse akuzat ndaj Ballukut janë më të shumta e peshojnë edhe më shumë se ato të Veliajt, Ahmetajt, Beqajt apo Agasit, edhe pse bashkë me të janë edhe 30 të pandehur të tjerë, SPAK-u as në mendje nuk e çon ta rikërkojë lejen për arrest nga Kuvendi, ndërsa këtë e kërkoi për shumë më pak gjë para një viti për Ballukun. Rama i tha ‘sus’ dhe SPAK-u uli bishtin e nuk u trimërua as nga protestat paqësore katërmujore të flamingove, as nga protestat agresive trivjavore të studentëve. Hiç, po hiç fare.
Këto ngjarje vërtetojnë hipotezën fillestare se SPAK-u dhe GjKKO-ja u ngritën jo si institucione të paanshme e të pavarura të një drejtësie të reformuar sipas standardeve europiane e të dedikuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por si instrumente nën ndikimin e fortë të qeverisë nga njëra anë dhe të ndërkombëtarëve nga ana tjetër, ngjashëm si dy bashkëpronarë. Nën këtë bashkëpronësi bipolare veprojnë përditë prokurorë e gjyqtarë, disa për drejtësi, disa për lavdi, disa për parti e disa për hajni.
Për sa kohë këta dy aktorë ishin në unison të plotë mes tyre, SPAK-u/GjKKO-ja goditën fort krerët e opozitës për të forcuar pushtetin e autokratit Rama, por goditën, me kërkesë të ndërkombëtarëve e me lejen a nismën e autokratit, edhe disa prej të vetëve, pasi pushteti i autokratit nuk mjafton të jetë i fortë, ai duhet edhe të shkëlqejë. Ndaj, me këtë funksion pastrues e lustrues u kryen edhe goditjet e disave që ‘kishin ngrënë mollë e dardha pas shpinës së autokratit’, a ishin bërë të bezdisshëm apo të padobishëm. Funksioni lustrues i shërbente autokratit, njëherazi lartësonte reformën e u mbyllte gojën kritikëve.
Në rastin Balluku, goditja ndaj saj erdhi në kohën kur marrëdhëniet mes dy bashkëpronarëve nuk ishin më aq harmonike dhe shfaqën divergjenca e fërkime të dukshme, të cilat, në një masë a në tjetrën, vijojnë edhe sot. Rama rezistoi fort, lëshimi i Ballukut ishte i rëndë për të dhe regjimin e tij, dhe rezultantja përfundimtare e relacionit bipolar të bashkëpronarëve mbi SPAK-un është që Balluku do të vijojë të hetohet e gjykohet në liri.
Hë për hë, deri në një raport cilësisht ndryshe të dy bashkëpronarëve dhe/ose deri në momentin kur Balluku të ketë tjetër peshë për regjimin e Ramës apo deri kur këtij regjimi t’i vijë fundi nga pakënaqësia në shtrirje dhe egërsim e shoqërisë dhe revolta e saj kundër këtij regjimi.







