Ballina Sport Media kroate: Në Wembley, para 90 mijë tifozëve, u shkrua historia

Media kroate: Në Wembley, para 90 mijë tifozëve, u shkrua historia

41
0

Kroacia do të zbresë të enjten, më 12 nëntor, në fushën e stadiumit legjendar “Wembley” në Londër, ku do të përballet me Anglinë, kombëtaren që u rendit në vendin e tretë në Kampionatin e fundit Botëror.

“Në Wembley, para 90 mijë tifozëve, u shkrua historia – në fushë ishte edhe një futbollist i famshëm kroat”, shkruan me titull media kroate “Veçernj List”.

Interesimi i tifozëve për këtë përballje është jashtëzakonisht i madh. Shitja zyrtare e biletave ka nisur që në shtator, ndërsa aktualisht nuk ka më vende të lira në shitjen e zakonshme.

Sipas faqes zyrtare të stadiumit dhe platformave të njohura të shitjes së biletave, ato janë shitur të gjitha që para disa javësh.

Madje, edhe hapësirat e veçanta të përshtatura për personat me nevoja të veçanta janë plotësuar për këtë ngjarje sportive.

“Stadiumi kombëtar anglez ka kapacitet prej 90 mijë ulësesh, duke qenë më i madhi në Evropë për nga numri i vendeve, përpara “Signal Iduna Park” në Dortmund dhe “Santiago Bernabeu” në Madrid.

Megjithatë, për ndeshjet e organizuara nga UEFA, kapaciteti i Wembley-t reduktohet në maksimumi 87 mijë ulëse.

Kjo do të thotë se Kroacia nuk do të luajë para numrit rekord të tifozëve.

Sipas kapacitetit të përcaktuar nga UEFA, në shtator, në ndeshjen Angli – Spanjë (2:3) në Ligën e Kombeve, ishin të pranishëm 84.525 spektatorë.
Rekordi i shikueshmërisë në një ndeshje të përfaqësueses së Kroacisë, i cili vështirë se do të thyhet në një të ardhme të afërt, u vendos më 13 dhjetor 2022.

Atë ditë, gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror ndërmjet Argjentinës dhe Kroacisë (3:0), në stadiumin “Lusail” në Katar, e ndoqën drejtpërdrejt 88.966 tifozë”, shkruan media kroate.

Wembley mban vendin e dytë dhe të tretë për nga numri i spektatorëve në ndeshjet e Kroacisë. Në nëntor të vitit 2007, përballjen Angli – Kroaci (2:3) e ndoqën 88.091 tifozë, ndërsa dy vjet më vonë, në fitoren 5:1 të Anglisë, në stadium ishin 87.319 spektatorë.

Për sa i përket stadiumit të rinovuar Wembley, rekordi i pjesëmarrjes në një ndeshje futbolli u vendos në vitin 2008. Finalen e FA Cup ndërmjet Portsmouthit dhe Cardiff Cityt (1:0) e ndoqën 89.874 tifozë.

Në atë ndeshje historike për futbollin anglez luajti edhe kroati i famshëm Niko Kranjçar, me fanellën e Portsmouthit.

Po atë vit u vendos edhe rekordi për një ndeshje të përfaqësueses së Anglisë në shtëpi, kur përballjen kundër Kazakistanit e ndoqën 89.107 tifozë.

Interesante është se rekordet e futbollit nuk janë shifrat më të larta të regjistruara në këtë stadium londinez. Rekordin absolut të pjesëmarrjes e mban koncerti i këngëtares së famshme Adele, e cila në qershor të vitit 2017 tërhoqi plot 98 mijë vizitorë në Wembley.

Sa u përket sporteve luftarake, meçi i boksit ndërmjet Anthony Joshua dhe Daniel Dubois, në shtator të vitit 2024, mblodhi 96 mijë spektatorë në stadium.

Në vitin 2022, Wembley regjistroi gjithsej 2.6 milionë vizitorë në aktivitete të ndryshme, duke vendosur rekordin vjetor të pjesëmarrjes.

Edhe pse në ndeshjen Angli – Kroaci nuk pritet të thyhen rekordet e koncerteve apo të boksit, është e sigurt se futbollistët kroatë do të luajnë në një atmosferë spektakolare.

Interesant është fakti se përballjen e parë ndërmjet Anglisë dhe Kroacisë, e zhvilluar në prill të vitit 1996 në Wembley, e ndoqën vetëm 33.650 tifozë. Ajo ndeshje miqësore përfundoi pa gola (0:0), ndërsa në atë kohë Kroacia nuk ishte ndonjë tërheqje e madhe për tifozët anglezë.

Ndërkohë, ndeshjen Angli – Kroaci (1:0) në Kampionatin Evropian të vitit 2021, për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19, e ndoqën vetëm 18.497 spektatorë.

Interesimi i madh për këtë përballje nuk është befasi, duke pasur parasysh historinë e pasur të dueleve ndërmjet dy kombëtareve.

Çmimet zyrtare të biletave për këtë ndeshje të Ligës së Kombeve varionin nga rreth 40 deri në 95 euro. Meqë biletat në faqen zyrtare të stadiumit janë shitur disa javë më parë, tifozëve u kanë mbetur vetëm disa mundësi, kryesisht shumë më të shtrenjta.

Njëra prej tyre është blerja e pakove VIP përmes platformës Seat Unique, ku paketa ekskluzive “Taphouse Social” ofrohej për rreth 140 euro për person. Kjo paketë përfshin ulëse të rehatshme në tribunën e mesme të stadiumit dhe qasje në një hapësirë të veçantë me një përzgjedhje të madhe pijesh para ndeshjes.

Ekziston edhe mundësia e rezervimit të një lozhe private me tetë ulëse, por këto paketa kërkojnë një buxhet dukshëm më të madh se një biletë e zakonshme.

Për tifozët që duan me çdo kusht të jenë pjesë e atmosferës, një mundësi tjetër mbetet tregu sekondar i biletave. Platformat e rishitjes, si StubHub, ofronin bileta me çmime fillestare prej rreth 90 eurosh, të cilat pritet të rriten edhe më shumë me afrimin e ndeshjes.

Pritshmëritë e tifozëve janë të mëdha, pasi kjo do të jetë paraqitja e parë e kapitenit anglez Harry Kane në shtëpi që nga fitimi i Topit të Artë. Ky sukses ka shtuar edhe më shumë entuziazmin e tifozëve anglezë, të cilët mezi presin ta shohin yllin e tyre në fushë.

Dhjetë ndeshjet më të ndjekura të Kroacisë:

2022, Doha: Argjentina – Kroacia 3:0, 88.966 shikues
2007, Londër: Anglia – Kroacia 2:3, 88.091 shikues
2009, Londër: Anglia – Kroacia 5:1, 87.319 shikues
2024, Kajro: Egjipti – Kroacia 2:4, 85.350 shikues
1996, Casablanca: Maroku – Kroacia 6:7 (2:2), 80.000 shikues
2018, Arlington: Meksika – Kroacia 0:1, 79.128 shikues
2018, Londër: Anglia – Kroacia 2:1, 78.221 shikues
2018, Moskë: Anglia – Kroacia 1:2, 78.011 shikues
2018, Moskë: Franca – Kroacia 4:2, 78.011 shikues
2025, Paris: Franca – Kroacia 2:0, 77.502 shikues