Ish-shefi i Forcës së Posaçme Operacionale, Oltion Bistri, nuk është gjetur në banesën e tij në Tiranë, pasi agjentët kanë shkuar për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila vendosi rikthimin e tij në burg.
Vendimi vjen një ditë pasi Apeli i GJKKO-së ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar Bistrin me 7 vite e 4 muaj heqje lirie, nga 2 vite burg që kishte marrë më parë.
Gjykata e shpalli fajtor edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke lënë në fuqi edhe dënimin për zbulimin e akteve ose të të dhënave sekrete.
Sipas burimeve, Bistri rezulton të jetë larguar disa javë më parë drejt Greqisë, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës. Megjithatë, nuk dihet nëse Greqia është destinacioni i tij përfundimtar apo nëse është përdorur si vend tranzit për t’u larguar drejt një shteti tjetër.
Në vendimin e 11 nëntorit, trupa gjykuese e Apelit, me relator Dhimitër Larën dhe anëtarë Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi, vendosi gjithashtu konfiskimin e pasurive të Bistrit, mes tyre tre apartamente, dy dyqane dhe rreth 1.3 milionë euro.
Bistri ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, ndërsa u lirua në nëntor të vitit 2025, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte dënuar vetëm për zbulimin e të dhënave sekrete dhe kishte dhënë pafajësi për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.







