Ballina Aktualitet Dyshohet se përvetësoi ish-Fabrikën e Miellit në Vlorë, Prokuroria sekuestron 8 prona...

Dyshohet se përvetësoi ish-Fabrikën e Miellit në Vlorë, Prokuroria sekuestron 8 prona me vlerë 7.5 milionë euro

29
0

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar tetë pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 7.5 milionë euro, në kuadër të hetimeve ndaj shtetasit G.V., i dyshuar për përvetësimin e paligjshëm të ish-Fabrikës së Miellit nr. 1 në Vlorë.

Sipas Prokurorisë, G.V. dyshohet se ka përvetësuar përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e fabrikës, duke i regjistruar në emrin e tij dhe jo si pasuri të shoqërisë tregtare ku ishte ortak.

Hetimet nisën pas kallëzimit të tre ortakeve të shoqërisë, me inicialet A.C., V.Q. dhe G.Z., të cilat pretendojnë se veprimet e G.V. kanë cenuar interesat e tyre pasurore.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se i dyshuari ka tjetërsuar një pjesë të pronave në favor të shtetasve K.B. dhe Xh.Ç., duke ngritur dyshime edhe për kryerjen e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë ndërtesa, njësi tregtare, depo dhe sipërfaqe trualli në qytetin e Vlorës, kryesisht në lagjen “1 Maji”. Katër prej tyre rezultojnë të regjistruara në emër të G.V., ndërsa katër të tjera në emër të dy personave të tretë.

Procedimi penal është regjistruar më 28 nëntor 2025, ndërsa hetimet vijojnë për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.