Ballina Kronika Korçë/ Kontrabandë alkooli nga Greqia, ‘Drinks’ prangos shoferin që po i transportonte!...

Korçë/ Kontrabandë alkooli nga Greqia, ‘Drinks’ prangos shoferin që po i transportonte! Nën akuzë edhe 3 doganierët e Kapshticës

16
0

Jo vetëm kontrabandë cigarsh, por edhe pijesh alkoolike për të rritur fitimet e tregtarëve.

Një rast tjetër është goditur sot (7 qershor) nga Policia e Korçës, teksa një person u kap në flagrancë në aksin rrugor Kapshticë-Blilisht, duke transportuar me automjet pije alkoolike që i kishin futur kontrabandë nga Greqia.

Procedohen penalisht edhe 3 punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”. Ngarkesa me pije alkoolike është sekuestruar si provë materiale.

Operacioni policor është koduar “Drinks”, kurse i arrestuari është A. Ll., 53 vjeç, banues në Korçë. Hetimet paraprake janë kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

“Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi pijesh alkoolike, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit. Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ll., 53 vjeç banues në Korçë, për veprat penale “kontrabanda me mallra të tjera” dhe “kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, bëri me dije policia vendore.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, për doganierët K. P., 45 vjeç,  A. G.  61 vjeç dhe R. M., 40 vjeç, pasi “dyshohet se nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallrave, sipas ligjit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme, ndërsa nuk jepen detaje të tjera për sasinë e pijeve alkoolike dhe aktivitetin e të dyshuarve.