Ballina Politika “Shqipëria është në diktaturë!”, Agron Tufa flet nga ekzili: Në PD janë...

“Shqipëria është në diktaturë!”, Agron Tufa flet nga ekzili: Në PD janë barngrënës, Berisha duhet të hapë rrugë

12
0

Shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa, prej vitesh në azil politik në një vend të Evropës, thotë se opozita nuk duhet të hynte fare në zgjedhjet e 11 majit, pasi ato ishin vërtet “masakër”.

“Ajo që kam ndjerë unë, me të gjitha shenjat e dukshme ishte që në Shqipëri nuk mund të mbaheshin zgjedhje, nuk duhet të hynin në zgjedhje në ato kushte skandaloze. Kur dihej çfarë masakre do të ndodhte, nuk është mirë të shkosh si cjapi te kasapi”, tha Tufa në një intervistë për  A2 CNN.

“Janë forcuar të gjitha strukturat totalitare të një regjimi diktatorial, ku liritë do ta kenë tmerrësisht të vështirë edhe të mendohen. Gjatë këtij mandati, hapësirat e lirisë do të likuidohen, jo vetëm shoqërore, institucionale, por edhe ato private. Nuk e di si e imagjinojnë shqiptarët ndryshe diktaturën e kohës sonë. Nuk do të shtinë me topa që të merret vesh. Ne do t’ia shohim sherrin, do ta vuajmë shumë shtrenjtë që këtë moment përgjumjeje të gjatë, ku shoqëria nuk është në gjendje të reagojë. Jemi në diktaturë! Dikujt i imagjinohet se nuk jemi, por unë them që jemi në diktaturë. Që vitin e kaluar kam shprehur mendimin se nuk duhet hyrë në zgjedhje në këto kushte”.

Shkrimtari Agron Tufa thotë se ka ardhur momenti që Sali Berisha të hapë krahun dhe bashkë me njerëzit që mban afër, t’i lënë vendin të rinjve në Partinë Demokratike.

“PD duhet të rikonceptohet, të rilindë, të ringrihet, duhet të nxjerrë figura që japin shpresë, një mentalitet dhe psikologji të re, një elitë e re politike. PD është bërë si SMT-të e kooperativave, me ato burokratë që i riciklon dhe i fut në listat e mbyllura. PD vazhdon prej 15 vitesh të korrë frytet e hipokrizisë së saj”, tha Tufa.

“Mënyrat e saj dolën që nuk janë më të efektshme. Duhet ndryshuar tërësisht përbërja, mentaliteti, filozofia, uria për fitore. Besoj se një pjesë e madhe e burokracisë së PD, sa herë që dalin në TV ia heqin nga 1000-2000 vota opozitës. Janë bërë të padurueshëm, të pahonepsshëm. Kjo është një xhungël politike. Nëse je barngrënës, në luftën për ekzistencë fiton mishngrënësi. Ata janë provuar në disa raunde që nuk fitojnë. Nuk duhet të kishin hyrë në zgjedhje, por nëse kanë hyrë, duhet të japin llogari. Pres nga fundi i këtij viti, një rikonceptim, një rindërtim, një model të ri të një partie opozitare”, tha ai.

I pyetur se kush duhet ta udhëheqë këtë reformim dhe a mund ta bëjë vetë Berisha, Tufa përgjigjet:

“Berisha është i vetmi termocentral energjie të pashtershme. Por është diku 80 vjeç, plot energji lavdi zotit, por ka një mandat të limituar, për vet moshën. Do apo s’do ai do të hapë rrugë zhvillimeve të reja. Nëse është ndryshe, atëherë ajo parti do të mbahet monument kulture për një pakicë. Kjo do të jetë gjëja më e keqe e mundshme”, tha Tufa.

Shkrimtari Agron Tufa e quajti “satanik” Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë dhe për këtë mjafton vetëm një fakt. “Ky do të jetë një Parlament satanik. Të mendosh që bandat e narkoshtetit kanë investuar për të pasur në Parlament, në rrethet kryesore, figura tërësisht anonime, që janë garancitë e investimeve të tyre në politik, vetëm qorrat nuk e shikojnë këtë. Mjafton me kaq që të them që do të jetë Parlament satanik”, tha ai.

Sipas tij, “shoqëria shqiptare i ka antitrupat e vet për të mos vdekur, përndryshe situata është katastrofike”, por linja “enveriste” në vend vijon të mbetet e fortë.

“Mendoj se linja e trashëgimisë së Partisë së Punës, Partisë Komuniste, asaj që e quajmë “enverizëm”, është trashëguar në mënyrë kompakte. E kemi të trashëguar në mënyrë të dukshme të Partia e ashtuquajtur Socialiste. Por jo vetëm aty, ka infektim të madh shoqëror në çdo pore. Nuk është luftuar asnjëherë, as me seriozitet, as me sinqeritet. Shoqëria gjendet në një koma të madhe që nuk është në gjendje të distancohet”, tha Tufa. /A2CNN