Ballina Aktualitet IKMT prish ndërtimet me dru në Dhërmi, qeveria jep leje për beton...

IKMT prish ndërtimet me dru në Dhërmi, qeveria jep leje për beton masiv. Zbardhet projekti i Julian Morinës!

18
0

Pushteti qendror por edhe ai lokal janë përqendruar në zonën e Dhërmiut, ku fillimisht kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, pezulloi nga detyra punonjësit e IMT-së me arsyen se kishin lejuar ndërtime pa leje. I gjithë sektori u shkri, ndërkohë që në zonë shkuan mjetet e rënda të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, me urdhër nga lart në qeveri.

Një aksion i gjerë ka filluar prej disa javësh, ku janë prishur disa ndërtime ende të palegalizuara, teksa justifikimi është se “janë pa leje”. Ruspat kanë vijuar natë e ditë, madje edhe në prani të pushuesve. Por, në gjithë ato raste që IKMT-ja shkon, ka një prapaskenë nga pas.

Dhe, s’kishte se si të ndodhte ndryshe edhe nga Dhërmi. Nga njëra anë prishen ndërtime dhe nga ana tjetër miratohen ndërtime. Prishen konstruksione të lehta, dru dhe metalike, ndërkohë që miratohen leje ndërtimi mijëra metra katrorë.

Vendimi i KKTU-së për miratimin e një kompleksi hiteleri, rezidencial dhe shërbimi në Dhërmi

 

Drurët dhe pjesët metalike të prishura pritet të zëvendësohen me beton, madje edhe në kodrën e Dhërmiut, aq të lakmuar nga investitorët strategjikë apo edhe ologarkët e mëdhenj, ku nuk përjashtohen as politikanët.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka miratuar në fund të vitit 2024 një vendim me numër 24, me objekt “për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘In the Wild’, kompleks hoteleri, rezidencial dhe shërbime, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë”.

Leja është dhënë pikërisht në “skenën e krimit” ku operon Bashkia Himarë dhe IKMT-ja, ndërkohë që në dokument përcaktohet se firma që qendron pas kësaj leje është “Xheluks Construction” me pronar z. Julian Morina.

Plani Vendor Urbanistik i Bashkisë së Himarës, ku shihet se i gjithë Dhërmiut do të betonohet

 

Por, krahas lejes që ka marrë firma “Xheluks”, në dokumente është vendosur edhe harta dhe Plani Vendor Urbanistik i Bashkisë Himarë, ku shihet se e gjithë zona e Dhërmiut pritet të betonohet. Janë pjesët në afërsi të detit, ku duket qartë se shumë shpejt atje do të bëhen komplekse.

Duket se aksioni i vetë IKMT-së e ka pasur si qëllim që të largojë banorët vëndas, për t’i zëvendësuar me oligarkë të preferuar, të cilët kanë marrë edhe lejet e para. E njëjta skemë që ka ndodhur në gjithë territoret e tjera, aq të kërkuara.

Projekti i kompanisë “Xheluks” është në pjesën e detit, teksa parashikon ndërtime deri në 3 kate

 

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, projekti i kompanisë “Xheluks” përfshin ndërtimin e disa godinave, në breg të detit dhe në kodrën e Dhërmiut. Sipas saj, do të bëhet hotel, shtëpi private pushimi dhe disa bare dhe restorante. Prona ku do të bëhet kompleksi është private dhe ka një sipërfaqe totale prej 6646 m².

“Koncepti përdor elementë të riinterpretuar për një kontekst bashkëkohor harqe, lozha, oborre, dhe veranda të mbjell. Vëllimet dhe hapësirat intime midis ndërtesave ngjallin një ndjenjë të ecjes rreth një fshati historik. Oborret, lozhat dhe vendkalimet krijojnë pamje me kornizë të detit dhe ofrojnë hije dhe privatësi në vend” thuhet në dokumente.

Sipas saj, vendi për “In the Wild” është vendosur në një majë të një kodre përballë detit Jon. Konteksti përreth është i populluar nga peizazhe të egra dhe pemë.

Por, nisur edhe nga aksionet e fundit, a mos ndoshta aksioni ka për qëllim që t’i hapë rrugë këtyre komplekseve?!/ Voxnews